RTSH 24 Live

Kosovë

Vrasja e Liridona Ademajt, bashkëshorti Naim Murseli deklarohet i pafajshëm

2 orë para

Vrasja e Liridona Ademajt, bashkëshorti Naim Murseli deklarohet i pafajshëm

"Jam plotësisht i pafajshëm."

Kështu u deklarua Naim Murseli para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Prishtinë lidhur me akuzën “vrasje e rëndë” ndaj bashkëshortes së tij Liridona Ademaj.

I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, ndërsa Granit Plava tha se do të mbrohet në heshtje.

Ndërkaq Tom Dodaj e pranoi fajësinë. Ky i fundit akuzohet se i shiti armën e krimit Murselit.

Në seancën paraprake, ku prokuroria detajoi akuzat, gjyqtarja tha se çështja ndaj Dodajt do të ndahet nga rasti i tre të akuzuarve të tjerë.

Ndërsa avokati mbrojtës tha se Dodaj nuk i njihte të pandehurit, por kishte kuptuar se arma e shitur prej tij u përdor në një krim vetëm kur u publikua në media vrasja e Liridona Ademajt.

Dodaj është dënuar me 5 vjet burg, por avokati tha se ky vendim është i lartë dhe do të apelohet. 

Këtë të premte, Prokuroria lexoi aktakuzën ndaj të tre pandehurve, ku thuhet se Naim Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro autorit për të vrarë bashkëshorten e tij dhe e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos i shmangej plumbit.

Sipas Prokurorisë, autor ishte Granit Plava, ndërsa Kushtrim Kokalla shërbeu si ndërmjetës mes këtij të fundit dhe Murselit për të kryer vrasjen me pagesë.

30-vjeçarja Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 pranë Prishtinës, kur ishte në makinë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.

Ngjarja fillimisht u raportua si grabitje me pasojë vrasjen, por dy ditë më vonë autoritetet arrestuan dy të dyshuar, mes tyre edhe bashkëshortin e viktimës, Naim Murselin.

Nëse tre të pandehurit shpallen fajtorë ata mund të përballen me një dënim nga 10 vjet deri me burgim të përjetshëm.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/