RTSH 24 Live

Aktualitet

Anketimi - 82% e qytetarëve ndihen të sigurt, Hodaj: Më pak kriminalitet e vrasje në 2024

4 orë para

Anketimi - 82% e qytetarëve ndihen të sigurt, Hodaj: Më pak kriminalitet e vrasje në 2024

Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, i ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH u shpreh se është rritur perceptimi i qytetarëve për nivelin e sigurisë në vend dhe gjatë vitit 2024 është ulur numri i vrasjeve.

Duke folur mbi barometrin e sigurisë në Shqipëri, një anketim i financuar nga qeveria suedeze për matjen e perceptimit publik rreth sigurisë, më së shumti rreth punës së Policisë së Shtetit, Hodaj theksoi: “65% e të anketuarve e vlerësojnë punën e policisë të mirë ose të shumë mirë dhe 82% e të anketuarve ndihen të sigurt në qytetin ku ata jetojnë. Në 12 vite, perceptimi i qytetarëve për korrupsion në radhët e policisë është ulur me 21%.”

Duke u ndalur në të dhënat më specifike të sondazhit për fenomenin e krimit dhe vrasjeve, Hodo tha se “ky fenomen ka ardhur me ulje që nga viti 2012. Në 2012 janë vrarë 125 njerëz në vit, ndërsa në 2024 është 41 numri i ngjarjeve të rënda me pasojë humbjen e jetës. Pra kjo tregon tri herë më pak vrasje për vitin që lamë pas. Patjetër që nuk jemi atje ku duhet, sepse do donim shumë që këto shifra të ishin zero. Vrasje dhe aksidentet në rrugë është shumë vështirë që të ulen drejt zeros, por sa më shumë afrohemi drejt zeros, aq më shumë punë na duhet të bëjmë ne.”

Në këtë kontekst, zv.ministri shpjegoi se sondazhi i orienton vendimmarrësit për të vënë re nëse nismat ligjore apo rregullatore janë të duhurat, impaktin që kanë në publik, rezultatet që prodhojnë, të cilat kryqëzohen dhe me të dhëna të tjera.

Duke vazhduar më tej, Hodaj nënvizoi se studimi ofron një tablo të qartë të zhvillimeve dhe ndryshimeve që kanë ndodhur në punën e Policisë së Shtetit gjatë viteve, e parë nga sytë e qytetarëve.

Anketa ka nisur në vitin 2013 dhe është realizuar çdo dy vjet, duke përdorur të njëjtën metodologji, të njëjtat pyetje dhe duke siguruar që rezultatet të jenë të matshme dhe të krahasueshme me njëra-tjetrën dhe perceptimi i publikut sa vjen dhe rritet. A jemi atje ku duam? Besoj se asnjëherë nuk do të jemi aty ku duam por jemi në shifra shumë të kënaqshme dhe jemi shumë afër mesatares evropiane.  E thënë më shifra mund të themi që 82% e shqiptarëve ndihen të sigurt në Shqipëri. Sipas të dhënave të sondazhit kjo siguri ka të bëjë që nga siguria e të ecurit vetëm nëpër rrugët e vendit, që nga marrëdhënia që ka me Policinë e Shtetit, që kanë me komunitetin, që kanë të bëjnë mbi mënyrën se si ata ndihen ne raport me institucionet shtetërore.

/rtsh.al/