Pesë ditë pas përmbytjeve në Durrës, grupet e numërimit vazhdojnë punën në terren për mbylljen e procesit të evidentimit të dëmeve.
Prefekti i qarkut të Durrësit, Emiljan Jani, thotë se deri tani rezultojnë 440 banesa të dëmtuara nga përmbytja.
"Situata është drejt normalizimit. Të gjitha familjet që janë të përmbytura nga reshjet e shiut do të kalojnë, sipas procedurave dhe VKM-ve, në Këshillin e qarkut. Faza tjetër do të jetë ajo e zhdëmtimit," thotë prefekti Jani.
Prefekti Jani, ka pohuar se përveç reshjeve me intensitet të lartë, një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve ishte bllokimi i kanaleve të ujërave të larta nga mbeturinat e hedhura.
"Nga ora 10:00 deri në orën 14:00–15:00 kanë rënë rreth 92,2 mm shi. Sasia e shiut në një interval kohor kaq të shkurtër krijoi këto problematika. Natyrisht problematikë tjetër janë edhe kanalet, që nuk janë të gjitha në gatishmëri të plotë," shpjegon z. Jani.
Pas finalizimit të procesit në terren të dhënat do t’i kalohen Këshillit të Qarkut, i cili do të nisë procedurat për dëmshpërblimin e banorëve të prekur.
Në dy ditët e përmbytjeve në qytetin bregdetar, 31 qytetarë u strehuan përkohësisht në qendrat e emergjencës, pasi banesat e tyre u bënë të pabanueshme për shkak të përmbytjeve.
/rtsh.al/