RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjykimi për "Metamorfozën", SPAK: Breçani përdori pinin e Dumanit në Sky Ecc

6 orë para

Gjykimi për "Metamorfozën", SPAK: Breçani përdori pinin e Dumanit në Sky Ecc

Gjykata e Posaçme pranoi të hënën kërkesën për gjykim të shkurtuar për disa nga të akuzuarit e grupit të trafikut të drogës, që u godit në muajin nëntor të vitit 2023 nga SPAK. 

Trupa e gjykimit pranoi kërkesën e 6 të akuzuarve: ish-shefit të krimeve në komisariatin numër 6 Dedan Gjoni, Adrian Cenaj, Bujar Ajeti, Besmir Murati, Ismail Zeneli dhe Albert Prenga, për tu gjykuar me formën e procedurës së shkurtuar, nga e cila mund të përfitojnë ulje të dënimit në rast se shpallen fajtor për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme. 

Ndërsa Jonida Babameto, ish-specialiste në zyrën e Interpol Tirana dhe Erzen Breçani, ish-zëvëndësdrejtuesi i policisë së Tiranës, kërkuan gjykim të zakonshëm.

Ky i fundit dha edhe argumentet se përse kërkoi gjykim të zakonshëm.

"Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e 'pastrimit të parave', as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite me disa biznese," mësohet se deklaroi Breçani.

Prokurori Vladimir Mara tha se Erzen Breçani ka përdorur një pin në aplikacionin Sky Ecc, që më parë e ka përdorur bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani. 

Ndërkohë, gjykata i ndau nga ky proces personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/