Deputetet në Komisionin e Medies dëgjuan anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar për procedurat e ndjekura në zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm.
"Në atë Këshill Drejtues që është sot, ku unë jam kryetar, është krijuar një shumicë false, e cila vendos edhe në kundërshtim me ligjin. Kjo shumicë false është e dokumentuar. Unë nuk pajtohem me vendimin tuaj. Shënojeni! Unë do ta hedh këtë çështje në gjyq dhe derisa kjo të zgjidhet nga ana gjyqësore, unë nuk marr pjesë në mbledhjet e Këshillit," u shpreh kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, z. Leka Bungo.
"Nuk mund të ketë shumicë false. Në demokraci nuk ka shumicë false. Ka një handikap ligjor, që thotë duhet votuar. Kur votohet unë e di që votohet edhe pro, edhe kundër. Nuk votohet vetëm pro," shtoi zv.kryetari i Këshillit Drejtues, z. Gëzim Podgorica.
"Fakti që ditën e enjte ne u mblodhëm dhe morëm vendimin për ta pezulluar [procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të kualifikuar] është jo thjesht reflektim i vendimit të Kuvendit, por derivat i disa ideve dhe propozimeve të hedhura nga disa anëtarë të Këshillit Drejtues, duke marrë parasysh këtë shqetësim dhe ambiguitetin e krijuar në dizenjimin e ligjit... Unë ju lutem juve që ndoshta të na jepni asistencë juridike më të kualifikuar," sqaroi anëtari i Këshillit Drejtues, z. Genc Përmeti.
"Procesi [për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm], në gjykimin tim, është i drejtë dhe nuk mund të pranoj që ai, që kur ka filluar, është në kundërshtim me ligjin. Nuk e pranoj," deklaroi anëtari i Këshillit Drejtues, z. Ilir Keko.
"Unë kam votuar në përputhje me pikën 2 të nenit 11 të Statutit të RTSH-së," tha anëtarja e Këshillit Drejtues, znj. Milena Selimi.
"Në çdo dosje të çdo kandidati ka pasur një procesverbal, ku thuhej çfarë mungonte. Nëse mungojnë materialet, detyrimisht skualifikohet," shtoi anëtari i Këshillit Drejtues, z. Edmond Tullumani.
"Në plotësim të rregullave të vendosura nga ana juaj ne kemi bërë përzgjedhjen e kandidaturave," u shpreh anëtari i Këshillit Drejtues, z. Albert Minga.
"Thjesht kemi vlerësuar mungesën e dokumentacionit apo plotësinë e saj. Duhej të votonim në bllok për kandidaturat që e kishin të plotë dokumentacionin," shtoi znj. Ardita Reçi, anëtare e Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Pas dëgjesës, që zgjati disa orë, kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa, u kërkoi anëtarëve të Këshillit Drejtues të zbatojnë kriteret që përcakton ligji për mediet audiovizive.
"Unë do desh ta mbyll këtu këtë dëgjesë, duke jua lënë juve të gjithë përgjegjësinë dhe të gjithë vendimmarrjen në lidhje me zbatimin e ligjit. Komisioni do të ketë detyrën ta vazhdojë këtë lloj monitorimi dhe të marrë vendimmarrjet e duhura në raport me Këshillin Drejtues, por edhe me mbarëvajtjen e Radio Televizionit Shqiptar," tha znj. Zhupa.
Edhe deputetët socialistë, që përfaqësojnë shumicën në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u sugjeruan anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së se janë të gatshëm të ndihmojnë nëse do të kenë nevojë për asistencë ligjore në këtë proces.
"Kjo procedurë duhet të përsëritet. Jo të hapet gara nga e para. Të përsëritet procesi përzgjedhës i atyre kandidatëve që i plotësojnë apo jo kriteret," deklaroi deputeti Petro Koçi.
Seanca dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së u krye pasi më herët deputetët kërkuan informacion zyrtar dhe shpjegues rreth procesit të zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, për të cilin u dorëzuan disa kandidatura deri më 20 janar.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/