RTSH 24 Live

Politikë

Celibashi: Kuvendi të miratojë sa më parë buxhetin për partitë që marrin pjesë në fushatën zgjedhore

2 orë para

Celibashi: Kuvendi të miratojë sa më parë buxhetin për partitë që marrin pjesë në fushatën zgjedhore

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të martën gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka bërë një bilanc të punës, lidhur me ecurinë e përgatitjes së procesit të zgjedhjeve të datës 11 Maj 2025, si për procesin e votuesve nga jashtë, ashtu dhe brenda vendit.

Lidhur me përbërjen e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve), partitë politike që do të propozojnë anëtarët e KZAZ-ve.

Nëpër KZAZ, PS, si partia kryesore e shumicës parlamentare, propozon 2 anëtarë; PSD, si partia e dytë kryesore e shumicës parlamentare, propozon 1 (një) anëtar; Partia Demokratike (PDSH), si partia kryesore e opozitës parlamentare, propozon 2 anëtarë; PL, si partia e dytë kryesore e opozitës parlamentare, propozon 1 (një) anëtar. Për anëtarin e shtatë në përbërjen e KZAZ-ve, PS do të propozojë anëtarin e shtatë për KZAZ-të e renditura me numër çift; PD do të propozojë anëtarin e shtatë për KZAZ-të e renditura me numër tek.

Sipas Celibashit, është komunikuar me partitë politike për të depozituar propozimet për anëtarë të KZAZ-ve dhe deri tani asnjë parti politike nuk ka depozituar propozimet e tyre. Konstituimi i KZAZ-ve do të bëhet në datën 11 Shkurt 2025.

Ka përfunduar edhe procesi i trajnimit të trajnerëve që do të trajnojnë administratën e niveleve të dyta, të treta, operatorët e pajisjeve elektronike të identifikimit dhe operatorëve të pajisjeve të votimit elektronik.

Votimi nga jashtë

Sa i përket zgjedhësve nga jashtë, Komisioneri tha se janë shtuar disa të dhëna në dashboard-in e të dhënave me qëllim që të dhënat në PER të kuptohen më qartë nga publiku dhe të mos ngatërrohen numri i kërkesave dhe refuzimeve me numrin e zgjedhësve që kanë bërë kërkesë apo janë refuzuar.

Të dhënat e PER janë:

  • 116.190 zgjedhës që kanë bërë kërkesë për tu regjistruar
  • 140.796 është numri i kërkesave, çka do të thotë që disa nga zgjedhësit e sipërcituar kanë paraqitur kërkesë më shumë se një herë për t’u regjistruar.
  • 86.570 zgjedhësve u është miratuar kërkesa për të qenë në listën e zgjedhësve nga jashtë (pra aktualisht këta janë shtetasit që do të përfshihen në listën e zgjedhësve).
  • 25.401 zgjedhësve u është refuzuar kërkesa për të qenë në listën e zgjedhësve nga jashtë
  • 49.959 është numri i kërkesave të refuzuara, këtu përfshihen edhe rastet kur një zgjedhësi i është refuzuar kërkesa më shumë se një herë.
  • 3.400 është numri mesatar i zgjedhësve të miratuar në ditë.
  • Numri mesatar i kërkesave ditore është rritur nga 4800 në 5800 kërkesa në ditë.
  • Dita me më shumë aplikime ka qenë data 2 shkurt, me 9774 aplikime në ditë. Dita e diel është përgjithësisht dita e javës me numrin më të madh të aplikimeve.
  • Dita me më pak aplikime është data 14 Janar, me 3588 aplikime. Dita e Martë përgjithësisht është dita e javës me numrin më të vogël të aplikimeve.
  • Shtetet me më shumë aplikime janë Italia 37%, Greqia 27% dhe Gjermania 11.9% e totalit të zgjedhësve.
  • Shtetet me më shumë miratime janë Italia 33.4 %, Greqia 25% dhe Gjermania 12.6% e totalit të zgjedhësve që u është miratuar kërkesa.
  • Shtetet me më shumë refuzime janë Italia 46.1%, Greqia 26.9% dhe Gjermania 11.5% e totalit të zgjedhësve që kanë aplikuar.

“KSHZ siguroi se Platforma PER nuk ka asnjë lloj veprimi të çfarëdo lloj mënyrë me të tretë jashtë KQZ-së. Për këtë u është dhënë akses në proces dhe në platformë të gjithë partive politike në mënyrë që të mbikqyrin të gjithë procesin.”, tha kryekomisioneri i zgjedhjeve.  

Celibashi theksoi se procesi i paraqitjes së kërkesës në platformën PER është proces që duhet ta bëjë individualisht zgjedhësi. Sipas tij, nuk ka asgjë të keqe nëse partitë politike nxisin qytetarët që të regjistrohen apo t’i ftojnë në takime për t’i informuar, po kurrsesi nuk mundet të aplikojnë për zgjedhësit.

“Kërkesa duhet bërë idividualisht nga secili prej zgjedhësve. Partitë politike duhet të tregojnë kujdesin maksimal dhe kanë përgjegjësi ligjore për të ruajtur të dhënat personale që mund të përfitohen nga ky proces edhe në mënyrë aksidentale.”, tha Celibashi.

Komisioneri tha se KQZ i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë sa më parë buxhetin për partitë politike që do të marrin pjesë në fushatën zgjedhore.

Gjithashtu, Komisioneri Celibashi theksoi se KQZ do t’i dërgojë Kuvendit një propozim teknik për çështjen e ankimimit të zgjedhësve nga jashtë për mospërfshirjen e tyre në listën e zgjedhësve nga jashtë, për t’u dhënë të drejtën e ankimit përmes një platforme online.

“Në datën 4 Mars përfundon afati për procesin e aplikimit për tu regjistruar si zgjedhës nga jashtë dhe në datën 9 Mars ne do të kemi listën e zgjedhësve nga jashtë. Në 24 Mars përfundon procesi i paraqitjes së listave shumemërore të kandidatëve për deputet dhe KQZ menjëherë më pas do të fillojë përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor që do t’u dërgohet zgjedhësve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndaj shtoi Komisioneri, nëse ndryshimet e Kodit Zgjedhor do të bëhen pas muajit Mars nuk do të kenë asnjë dobi për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.”, tha Celibashi.

Lidhur me vpotimin elektronik, Celibashi tha se nuk do të implementohet në asnjë qark, por në zbatim të detyrimeve që burojnë nga Kodi Zgjedhor do të implementohet si projekt pilot në një ose dy njësi administrative.

Sa i përket fletës së votimit, Komisioneri Celibashi nënvizoi se është bërë gati projektvendimi për Komisionin Rregullator me specifikimet teknike të fletës së votimit.

“Po punohet për modelin e fletës së votimit, ndërsa lidhur me përmbajtjen e fletës së votimit po konsultohet me partitë politike.”, tha ai.  

/rtsh.al/