Teksa mori zyrtarisht këtë të martë detyrën si i Dërguari i Posaçëm për Misione Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell publikoi përmes një postimi në rrjetin social X, fondet e USAID që Organizatat jo qeveritare në Ballkan kanë përfituar për 4 vite, konkretisht 2020 – 2024.
“Amerikanët e palodhur paguajnë taksa, ndërsa politikanët në SHBA i shpenzuan ato në mënyrë të pamatur duke i dhënë miliarda dollarë OJQ-ve të krahut të majtë për të nxitur politika radikale”, shkroi Grennell.
Në total, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përfituar gjatë kësaj periudhe kohore 1.7 miliardë dollarë. Në shkrim thuhet se Shqipëria ka përfituar në 4 vite 189 milionë dollarë, duke u renditur e parafundit, ndërsa Kosova renditet në vendin e parë me më shumë se dyfishin e shumës së dhënë për Shqipërinë, më konkretisht 537 milionë dollarë.
Javën e kaluar, qindra kontraktorë të brendshëm që punonin për Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), u vunë në pushim pa pagesë dhe disave iu ndërpre marrëdhënia e punës, pasi presidenti Donald Trump vendosi një ngrirje gjithëpërfshirëse të ndihmës së huaj të SHBA në mbarë botën. Sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit Amerikan. Shtetet e Bashkuara shpenzuan rreth 40 miliardë dollarë në ndihma për vendet e tjera në vitin fiskal 2023.
/RTSH/