RTSH 24 Live

Aktualitet

Tur-operatorët hungarezë vizitë në Shqipëri për të shtuar bashkëpunimin

3 orë para

Tur-operatorët hungarezë vizitë në Shqipëri për të shtuar bashkëpunimin

Një grup prej 24 operatorësh turistikë hungarez vizitojnë Shqipërinë në kuadër të nxitjes së bashkëpunimit dypalësh për tërheqjen e operatorëve turistikë hungarezë drejt Shqipërisë. Kjo vizitë është e dyta dhe synon të forcojë lidhjet turistike mes dy vendeve.

Ambasadorja hungareze në Shqipëri theksoi se numri i vizitorëve hungarezë që erdhën si turiste në Shqipëri gjatë vitit 2024 ishte rreth 60 mijë.

Për ambasadoren, kjo shifër ka një rëndësi të madhe, pasi tregon një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara.

Ndërkohë, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, gjatë fjalës së saj bëri një panoramë të Shqipërisë si destinacion turistik.

“Shqipëria është akoma një thesar i fshehur i aventurës, kulturës dhe relaksit, një destinacion premtues për turistët hungarezë. Me fluturime direkte të shkurtra nga Hungaria, prezantohet një mundësi fantastike për tur-operatorët që t’i prezantojnë një destinacion të ri për turistët. Shqipëria ofron diçka për të gjithë”, u shpreh Çela.

Gjatë takimit, Agjencia Kombëtare e Turizmit shpërndau materiale promocionale për të pranishmit. Gjatë ditëve në vijim, grupi hungarez do të vijojë vizitat në destinacionet kryesore turistike shqiptare, për të mundësuar një rritje të mëtejshme të bashkëpunimit në paketat e tyre turistike.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/