RTSH 24 Live

Aktualitet

Zgjedhjet, qeveria shtyn afatin e vlefshmërisë për kartat ID dhe pasaportat biometrike

3 orë para

Zgjedhjet, qeveria shtyn afatin e vlefshmërisë për kartat ID dhe pasaportat biometrike

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka njoftuar vendimin e marrë në Këshillin e Ministrave për zgjatjen e vlefshmërisë për kartat ID dhe pasaportat biometrike deri më datë 31 maj.

Ky vendim u jep mundësi të gjithë shqiptarëve që jetojnë në diasporë që të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës, duke u regjistruar fillimisht në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER).

Hoxha sqaroi se janë 500 mijë shqiptarë të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave ID dhe pasaportave biometrike.

Miratuam aktin për zgjatjen e vlefshmërisë për kartat ID dhe pasaportat biometrike. Kjo situatë e krijuar do e zgjidhë ngërçin. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që u ka përfunduar vlefshmëria e kartave ID. Me miratimin e këtij akti, çdo shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit do të ushtrojë të drejtën e votës.

Ata do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ, duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistravetë KQZ", deklaroi Hoxha.

I pyetur nëse shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por nuk disponojnë dokumentet shqiptare dhe duan të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit, Hoxha u përgjigj se “ata që nuk i kanë këto dokumente nuk do munden të votojnë”.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të mbahen më 11 maj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi disa ditë më parë shifrat lidhur me regjistrimin e shqiptarëve nga jashtë që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Sipas KQZ-së, numri i regjistrimeve të votuesve nga jashtë është gati 147 mijë, ndërsa janë miratuar 92 mijë kërkesa nga vende të ndryshme të botës.

/rtsh.al/