RTSH 24 Live

Aktualitet

“Pakti i qyteteve të lira”, Rama: Sfidat janë të njëjta, të mësojnë nga eksperiencat e të tjerëve

3 orë para

“Pakti i qyteteve  të lira”, Rama: Sfidat janë të njëjta, të mësojnë nga eksperiencat e të tjerëve

Në samitin "Pakti i qyteteve të lira", kryebashkiakët dhe përfaqësuesit nga metropolet më të mëdha të botës janë mbledhur në Tiranë dhe ndanë eksperiencat dhe perspektivat e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit ndërqytetës.

Në samit një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë e mundësisë që qytetet kanë për të mësuar nga njëri-tjetri, duke nënvizuar se sfidat me të cilat përballen janë të ngjashme kudo.

“Të drejtosh një qytet ka mundësi dhe kënaqësi të veçantë se të jepet rasti të mësosh nga eksperienca e të tjerëve. Sfidat janë të njëjta kudo dhe është kënaqësi që Tiranë të ketë mundësi të mikpresë përfaqësues të këtyre qyteteve, që deri dje ishin si muzeumet e kryeveprave të artit për piktorët e provincës. Nuk ishte e imagjinueshme që ne të bëheshim një vend mikpritës i samiteve ndërkombëtare, ku ka shumë të tjerë para nesh. Në Tiranë mund të ofrojmë jo vetëm mikpritjen, të mund të ofrojmë mundësinë dhe eksperiencën, që sot është bërë edhe në një nga destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë, që nuk mund të imagjinohet deri disa vite më parë”, u shpreh Rama.

Për kryeministrin Rama, qytetet kanë një rol të pazëvendësueshëm në përballimin e sfidave të përditshme të qytetarëve, duke shtuar se qeveritë mund të kontribuojnë në një masë, por është e pamundur të zëvendësojnë atë që qytetet mund të bëjnë për njerëzit.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për Tiranën të zhvillojë marrëdhënie dypalëshe me qytete të tjera, duke shfrytëzuar mundësinë që ofron ky samit për të ndarë eksperienca dhe për të përfituar nga sukseset dhe dështimet e të tjerëve.

“Gjithnjë e më shumë qytetet do të mbajnë barrën e sfidave të përditshëm të njerëzve të kësaj kohe. Qeveritë mund të bëjnë diçka më shumë apo më pak, por është e pamundur të zëvendësojë atë që qytetet duhet të bëjnë për njerëzit dhe është e pamundur të mendosh që njerëzit të mjaftohen me atë që ofron qyteti dhe të kërkojnë gjërat që janë përtej qytetit. Qyteti për njerëzit është shtëpia dhe ambicia për ta bërë gjithmonë e më të mirë shtëpinë është e pakundërshtueshme. Tirana duhet të zhvillojë sa më shumë marrëdhënie dypalëshe me të gjitha qytetet duke përfituar edhe nga ky samit. Përtej trajtimit të sfidave është edhe ndarja e eksperiencave me të tjerët dhe të përfitimit prej këtyre sukseseve dhe dështimeve për vendime më të duhura në të ardhmen”, tha Rama.

/rtsh.al/