RTSH 24 Live

Aktualitet

Moratoriumi i gjuetisë drejt fundit, disa shoqata kanë rezerva për projektligjin e ri

3 orë para

Moratoriumi i gjuetisë drejt fundit, disa shoqata kanë rezerva për projektligjin e ri

Projektligji i ri për gjuetinë, që do t’i japë fund moratoriumit 10-vjeçar dhe pritet që deri në fillim të muajit mars të miratohet në Parlament, po has kundërshtime të forta nga shoqata e gjuetarëve në Shkodër.

Dhënia e lejes nga Ministria e Mjedisit për gjuajtjen e disa specieve, si dhe mundësia që zona të ndryshme të gjuetisë t’i jepen ndër të tjera edhe agjencive të ndryshme dhe personave privatë, nuk pranohet nga ana e gjuetarëve.

"Dikush tjetër kërkon të marrë situatat në dorë. Për disa pika gjuetie, për disa specie duhet marrë autorizim nga ministri ose zëvendësministri, që ne nuk jemi dakord," u shpreh Zyhdi Mustafa, zv.president i Federatës së Gjuetarëve.

Moratoriumi 10-vjeçar frenoi gjuetarët e licensuar, por bëri që të lulëzojë gjuetia e paligjshme.

"Këtu ka fajin edhe vetë pushteti vendor në bashkëpunim me policinë, se policia po të donte nuk do të kishte lënë pushkë të kërciste kurrkund. Moratorium për gjuetarët e ndershëm, e lulëzuan grupet shkelëse," shtoi Xhabir Mehmeti nga Shoqata e Gjuetarëve në Shkodër.

Aktualisht në qarkun Shkodër janë rreth 700 gjuetarë, por me ligjin e ri ky numër do të reduktohet ndjeshëm.

"Për një distancë x për metër katror do të jenë kaq gjuetarë. Gjuetia do të reduktohet se s'bën," tha z. Mustafa.

Në bazë të projektligjit të r,i sezoni i gjuetisë pritet të hapet në muajin gusht.

Gazetare: Merisa Gjoni

/rtsh.al/