E krijuar para 10 vitesh në Shqipëri, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve po ndihmon qytetarët shqiptarë të zgjidhin konflikte apo mosmarrëveshje pa iu drejtuar dyerve të gjykatës.
Nga viti në vit janë shtuar çështjet e shqyrtuara nga ndërmjetësit, duke ulur ngarkesat e larta në të gjitha shkallët e gjyqësorit, por edhe duke u dhënë zgjidhje më të shpejtë problematikave dhe me më pak kosto.
"Në 2015 kanë qenë 217 raste; në 2017, 1.500 raste, ndërsa vjet kemi pasur 2.170 raste. Kjo do të thotë që kemi ulur ngarkesat e gjyqësorit, plus që qytetari e ka shumë të thjeshtë dhe të shpejtë zgjidhjen. Ai vendos vetë ndërmjetësin, kushtet," shprehet Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve.
Po në cilat fusha mund të përdoret ndërmjetësimi?
"Nga 1 deri në 30 ditë, ndërmjetësit zgjidhen të gjitha llojet e konflikteve: çështjet familjare, divorcet, çështjet e pronave, marrëdhëniet e punës, civile, tregtare, edhe çështjet penale aty ku na lejon neni 59 dhe 284 i Kodit të Procedurës Penale ose Kodi për të miturit," shpjegon znj. Avdyli.
Një ditë më parë Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit bëri bashkë përmes një uorkshopi në Gjirokastër gjyqtarë dhe prokurorë, ku u fol se si mund t'i referojnë çështjet në ndërmjetësim.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/