RTSH 24 Live

Sociale

AKPA dhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara arrijnë marrëveshje punësimi

2 orë para

AKPA dhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara arrijnë marrëveshje punësimi

Kompanitë fituese në garën e prokurimeve publike me vlera të larta, që zhvillon Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), do të kenë detyrimin të rekrutojnë një përqindje të caktuar të individëve nga lista e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).

Marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve ndihmon në punësimin lokal dhe është gjithëpërfshirëse.

"Vjen në zbatim të direktivës europiane për punësimin gjithëpërfshirës dhe prokurimin social. Është një mundësi shumë e mirë për të gjitha ato grupe të cenueshme, të margjinalizuara, që nuk e aksesojnë dot lehtë tregun e punës si grupet e tjera. Mund të vijnë në zyrat e punësimit për t'u regjistruar ose të aplikojnë drejtpërdrejt online në portalin tonë puna.gov.al.

Numri i punëkërkuesve pa punë në rajonin e Tiranës është rreth 15 mijë, por ky është edhe një numër i personave punëkërkues, të cilët duan një mundësi më të mirë punësimi," thotë Klevis Hysa, drejtor i Përgjithshëm i AKPA-s.

OBP-ja do të përcaktojë një sistem pikëzimi për kompanitë që do të ofrojnë më shumë vende pune.

"Kjo marrëveshje konsiston në proceset e prokurimit që Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvillon në investime, furnizime, mallra e shërbime, do të aplikojë edhe kritere punësimi për kompani që hyjnë në gara prokurimi. Sigurisht që do të jenë me një sistem pikëzimi dhe do të kualifikohet ai operator që do të ketë më shumë integrim nga tregu informal i punësimit të individëve që sot ndodhen aktualisht pa punë," tregon Arlinda Pogaj, administratore e OBP-së.

Çdo vit mbi 300 operatorë ekonomikë fitojnë garën e zhvilluar nga OBP-ja, ku përveç dokumentacionit të paraqitur u shtohet dhe kriteri për punësimin.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/