RTSH 24 Live

Sociale

Sëmundjet që prekin shtatzënat, konferencë kombëtare për shëndetin amtar dhe foshnjor

4 orë para

Sëmundjet që prekin shtatzënat, konferencë kombëtare për shëndetin amtar dhe foshnjor

Pre-eklampsia si një nga patologjitë që shfaqet vetëm në shtatzëni kërkon rritjen e kapaciteteve neonatologjike.

Edhe pse prej vitesh, në vendin tonë, nuk janë shënuar më raste të fataliteteve me këtë sëmundje, trajtimi që lidhet me shëndetin e nënës shtatzënë kërkon trajnime të vazhdueshme.

Kjo është një konferencë shumë e rëndësishme përsa i përket shëndetit amtar dhe foshnjor dhe vjen si një përmbyllje të një programi afatgjatë, shumëvjeçar që ka të bëjë me trajnimin e personelit shëndetësor dhe me aftësimin e tyre për situata të vështira. Ky është një bashkëpunim i Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, që unë përfaqësoj, organizatës UNFPA- së dhe me bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale”, u shpreh Elona Gjebrea, Drejtore Ekzekutive e ACPD.

Mjekja, Mirela Rista, tregoi më shumë për shfaqjen e kësaj patologjie tek gratë shtatzëna si dhe për simptomat e saj.

“Karakteristikë e saj është shifra të larta të tensionit arterial që krijojnë problematika si dhimbje të mëdha të kokës, në vështirësi dhe pamundësi respiratore të plotë. Me ankesa që lidhen me një ndjenjë si përzierje të vjellash. Është një patologji që përfshin gati 10 % të shtatzënive. U bë vite që nuk kemi më raste të humbjes së jetës së nënave shtatzënë nga kjo sëmundshmëri”, tha Mirela Rista, Obstetër gjinekologe materniteti, ’’Mbretëresha Geraldinë’’.

Fokusi drejtuar shëndetit të nënës dhe të porsalindurve ka bërë që një numër i madh vizitash monitoruese të realizohen në maternitetet e rretheve. Ndërsa janë kryer edhe një sërë trajnimesh ku janë përfshirë mjekë neonatologë, mami dhe infermierë.

”Pre-eklampsia’’ është projekti i nisur që prej vitit 2019, një iniciativë e qendrës shqiptare për popullsinë dhe zhvillimin.

Gazetare: E. Hasanbelli

/rtsh.al/