Me një eksperiencë të gjatë dhe shumë të pasur televizive në Radio Televizionin Shqiptar, gazetarja e njohur, Edlira Birko ka treguar më shumë për tre dekadat e saj në RTSH. Në studion e emisionit “Miqtë e pasdites”, Birko tha se puna në Radio Televizionin Shqiptar ka qenë “shkolla më e mirë” për të.
“Po bëj gati tre dekada në RTSH. Kam pasur fatin të jem pjesë e këtij institucioni në kohën kur drejtohej nga njerëz profesionistë si edhe nga punonjës profesionistë. RadioTelevizioni Shqiptar ka qenë një shkollë më vete për mua. Më është dashur të punoj fort në fushën që jam diplomuar për Gjuhë Letërsi më pas Gazetari. Gjithashtu të studioj edhe Psikologji, por them se shkolla më e mirë për mua ka qenë RTSH”, u shpreh ajo.
Ajo u ndal edhe te familja, veçanërisht te marrëdhënia me vëllain e saj, balerinin e mirënjohur Eno Birko. Gazetarja tha se ata kanë qenë gjithmonë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe se është kujdesur për të që kur kanë qenë fëmijë. E përlotur, ajo kujtoi edhe aksidentin që pësoi i vëllai pak kohë më parë.
“Vëllai është dashuri shumë e madhe. Që kur kam qenë e vogël e kam pas në kujdestari. Kemi një motër më të madhe se ne. Unë e kam mbajtur shumë afër, por më është dukur sikur im vëlla ka dashur më shumë motrën e madhe. Por unë kam pas një fuqi tek ai pasi kam bërë atë që duhej ta bënte mami. Duhej të kisha autoritetin për të thënë jo. Artistët janë natyra të vështirë, në shoqërinë shqiptare nuk jemi të përgatitur për artistët, pasi më shumë jemi të përgatitur për atë nivelin e mesëm të njeriu dhe jo artisët të cilët janë në një botë të tyren. Si pasojë e aksidentit, lamë përgjysmë një punë që po punonim të dy, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së babait tonë”, tregoi gazetarja.
Intervista në “Miqtë e pasdites” nuk mund të mbyllej pa një surprizë për gazetaren, e cila u emocionua jo pak nga një video-mesazh nga e bija, e cila i shprehu mirënjohjen dhe krenarinë që ndjen për të.
“Unë gjithmonë kam thënë që ti mos të flasësh për ne në daljet në ekran, por sot po ta bëj me hile. Jam krenare për ty, për kontributin në televizion në gjithë këto vite, për mënyrën dinjitoze si je përballur me shumë vështirësi, si je kujdesur për babin, nënën, dajën. Ne na ke rritur me shumë dashuri dhe jam shumë mirënjohëse”, u shpreh vajza e saj.
/rtsh.al/