Të dielën e ardhshme, më 9 shkurt, Kori “Lira”, simboli i këngës qytetare korçare, do të mbajë një koncert në Selanik për të gjithë dashamirësit dhe artdashësit. Kori “Lira” i shpallur “Nderi i Kombit”, ka një repertor të pasur me mbi 100 këngë si serenata, këngë patriotike, lirike dhe popullore të ardhura në formë klasike.
Për dirigjentin Pandi Bello, ky koncert është një mundësi për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë tonë kulturore.
“Programi është i llogaritur si program që zgjon kujtesën e madhe historike e emocionale te dëgjuesit emigrantë shqiptarë në Selanik, ku korçarët janë shumë”, u shpreh ai.
Kjo nuk është hera e parë që Kori “Lira” mban koncerte të tilla jashtë kufijve të Shqipërisë.
“Kori “Lira” ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtarë koresh, festival pranë Kosturit, në Kardhiq, etj,” shtoi Bello.
Koncerti me dirigjent Pandi Bellon do të zhvillohet për të gjithë artdashësit dhe bashkatdhetarët në Selanik, në orën 12:30 në teatrin “Aneton”.
Gazetare: Eftjola Fili