RTSH 24 Live

Televizion

“Shkodra Elektronike” në Eurosong: Koreografia dhe veshja skenike e njëjtë si në Fest 63

4 orë para

“Shkodra Elektronike” në Eurosong: Koreografia dhe veshja skenike e njëjtë si në Fest 63

“Shkodra Elektronike” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong të martën e 13 majit. Në një lidhje Skype me emisionin “Miqtë e Pasdites”, dyshja e këngëtarëve Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca ndanë me publikun emocionet para shkeljes së skenës magjike.

Beatriçe dhe Kolë kanë ndarë gjithashtu edhe disa detaje mbi performancën e tyre në Eurosong, duke bërë me dije se kënga, performanca dhe veshja skenike do të jetë e njëjtë me atë të Fest 63.

“Emocioni është i madh. Ne vijmë prej muzikës alternative dhe nuk e kisha menduar që do merrja ndonjëherë pjesë në Eurosong.

Eurosong është skena më e madhe e Europës, më duket vetja e vogël para asaj skene. Nuk e prisja këtë sukses. Nuk e kisha as në listën e gjerave për të arritur.

Unë jam supersticioze. Nuk e di nëse lista që ka dalë do jetë e tillë deri në fund dhe shpresoj që jo sepse numri 8-të nuk më pëlqen fare, do preferoja numrin 9.

Tashmë po vijojmë me punën. Ndjej respekt dhe nderim për njerëzit që na duan ë atë skenë. Po punojmë fortë për të gjithë ata që na dhanë këtë mundësi.  Stili ka për të qenë i njëjti si në festival. Atë që keni parë në Fest 63, atë do shihni edhe në Eurosong. Edhe koreografia po ashtu do jetë e njëjta”, u shpreh Beatriçe.

Nga ana e tij, Kolë bëri me dije se pas pak javësh do të vijnë në Shqipëri për realizimin e videoklipit të këngës së tyre “Zjerm”.

Nuk jam as i emocionuar dhe as nuk ndihem gati për skenën e Eurovizion. Nuk ka qenë asnjëherë Eurosong objektiv për ne, nuk e kishim imagjinuar. Rastësisht përfunduam aty. Ne do këndojmë të tetët në natën e parë, dhe nuk jam supersticioz.

Kënga do jetë e njëjtë, do jetë në shqip, s’do ketë absolutisht asnjë ndryshim. Do jemi në Shqipëri në gjysmë të shkurtit për videoklipin.

Kemi menduar të bëjmë një tur për të prezantuar këngën. Manchester, Madrir, Oslo, Londër, janë disa vende”, nënvizoi Kolë Laca.

Shqipëria do të performojë në natën e parë gjysmëfinale të Eurovision 2025 që do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës.

Vendi ynë, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar që të konkurrojë të martën e 13 majit, në gjysmën e dytë të natës së parë.

Shqipëria do të përfaqësohet nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjarr”, me të cilën triumfuan në Festivalin e Këngës.

Përzgjedhja e radhës së interpretimit u bë në mënyrë rastësore përmes shortit. Nga pesë vazo të përgatitura nga EBU-ja për 31 shtetet pjesëmarrëse në gjysmëfinale, Shqipëria u listua në vazon e tretë.

Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruara si vendet “e mëdha”, janë kualifikuar automatikisht pa u dashur të garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovision, nuk garon në gjysmëfinale.

Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj.

/rtsh.al/