RTSH 24 Live

Ekonomi

Nis emisioni më i ri "Ne dhe ekonomia", çdo të hënë dhe të enjte në RTSH 24

3 orë para

Nis emisioni më i ri "Ne dhe ekonomia", çdo të hënë dhe të enjte në RTSH 24

Mbrëmjen e djeshme (3 shkurt) nisi emisioni më i ri në RTSH 24, "Ne dhe ekonomia", me autore dhe moderatore Elefteria Zgurin.

Çdo të hënë dhe të enjte në orën 21:00 ky emision do të trajtojë drejtpërdrejt tematika që lidhen ngushtësisht me ekonominë dhe çdo derivat të saj.

Me intervista në terren dhe të ftuar në studio, "Ne dhe ekonomia" do të sjellë analiza dhe komente nga vetë aktorët e kësaj fushe.

E ftuara e parë speciale, zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, specifikoi se politikat monetare u zbatuan me sukses për vitin 2024, duke u përkthyer në një bilanc pozitiv të rritjes ekonomike me 4 për qind.

"2024 ishte një vit që aktiviteti ekonomik shënoi rritje. Punësimi, norma e papunësisë, të gjithë këta tregues bazë, që masin shëndetin ekonomik të një vendi, kanë qenë pozitivë për ekonominë shqiptare," tha znj. Minxhozi.

Një tjetër e ftuar e mbrëmjes ishte dhe ekspertja e mirënjohur, Suzana Guxholli, e cila në një analizë të detajuar të mbarëvajtjes ekonomike për vitin që lamë pas, theksoi faktin që konsumatorët finalë ende nuk e kanë prekur rritjen ekonomike në xhepat e tyre.

"Mbledhja e të ardhurave është një element shumë i rëndësishëm dhe ne e kemi shumë të dobët, prandaj megjithëse kemi rritje ekonomike, në shumë klasifikime dhe raporte në Evropë e rajon ne biem," u shpreh znj. Guxholli.

"Ne dhe ekonomia" synon të sjellë një pasqyrë të gjithçkaje ndodh me situatën financiare në Shqipëri, në mënyrë të thjeshtëzuar për të gjithë audiencën.

/rtsh.al/