Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka hapur thirrjen për fonde të financuara nga buxheti i shtetit në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Thirrja për aplikimin për fonde është organizuar në dy skema kryesore, ku e para përfshin mbështetje financiare për shpenzimet korrente dhe e dyta mbështetje financiare për shpenzimet kapitale.
AIDA njofton se mbështetja synon zhvillimin e NMVM-ve, në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë së tyre, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse. Propozimet e bizneseve duhet t’i përmbahen kritereve dhe kushteve të veçanta, të bëra publike edhe në faqen zyrtare të AIDA-s.
Kriteret dhe kushtet, formularët dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim, gjenden në faqen zyrtare të AIDA-s, e cila specifikon gjithashtu se nuk përfitojnë nga ky fond NMVM-të që kanë përfituar burime financimi nga donatorë apo institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare për të njëjtat zëra apo aktivitete të lejuara nga këto projekte.
Aplikimet janë të hapura deri në datë 28 shkurt, ora 14:00.
Skema 1: Mbështetje financiare për shpenzime korrente
- Vlera e financimit deri në 2.500.000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Certifikim i standardeve të prodhimit/shërbimit (përfshirë konsulencën përkatëse në fazën përgatitore);
- Përmirësim i produktit përmes etiketimit, ambalazhimit;
- Trajnime të stafit të ndërmarrjes për rritje kapacitetesh në fusha të tilla si: menaxhimi i teknologjive digjitale/inovatore, rrjetet e prokurimit, shërbime marketingu, zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së biznesit, sisteme të reja logjistike softuerike apo pajisje të reja, etj, dhe pajisje me certifikatat përkatëse nga subjekte të licencuara për trajnime;
- Pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare me stenda të gatshme;
- Krijimi i aplikacioneve apo platformave në funksion të zhvillimit të proceseve lidhur me tregtinë elektronike/e-commerce, produkteve të reja dhe/ose shërbimeve, për të përmbushur kërkesat e industrisë së tregut në vend dhe rajon për të përmirësuar biznesin, sistemet logjistike etj;
- Përgatitja e materialeve promovuese si: banera, fletëpalosje, katalogë, broshura për përmirësim të imazhit të NMVM-ve (jo më shumë se 20% e kostos totale të projektit).
Skema 2: Mbështetje financiare për shpenzime kapitale
2.1. Projekte për konkurrueshmërinë
- Vlera e financimit deri në 1,500,000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Blerje makinerive që ndikojnë në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produktit
2.2. Projekte për artizanatin
- Vlera e financimit deri në 1.000,000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Blerje makinerive tradicionale dhe/ose teknologjike për të përmirësuar kushtet e punës për biznesin
- Blerje e aplikacioneve dhe/ose programeve të e-commerce.
AIDA thekson se të gjitha propozimet për mbështetje financiare nga bizneset duhet të realizohen brenda vitit buxhetor dhe se aktivitetet e propozuara duhet të mbyllen brenda nëntorit 2025. Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve do të kryhet nëpërmjet adresës elektronike: ndermarrje@aida.gov.al
/rtsh.al/