RTSH 24 Live

Aktualitet

Dezinformimi, ekspertët shpalosin objektivat kundër ndërhyrjeve të huaja

3 orë para

Dezinformimi, ekspertët shpalosin objektivat kundër ndërhyrjeve të huaja

Komisioni Posaçëm për Dezinformimin zhvilloi diskutime mbi Draft-Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025–2030.

Ekspertë të fushave të ndryshme shpalosën objektivat dhe propozuan disa përmirësime.

"Ne mendojmë se dezinformimi, manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja keqdashëse në proceset demokratike janë pjesë e kërcënimeve hibride, të cilat kanë marrë përmasa të mëdha në dekadat e fundit," tha gjeneralmajori Nazmi Cahani.

"Aktualisht burimet që duam të analizojmë janë ato që vijnë nga Rusia. Kina ka qenë prezente në disa sektorë kritikë në vendin tonë, por është në reduktim. Janë investime që kanë burime të panjohura," deklaroi ish-ministri i Financave, Arben Malaj.

"1. Kontributi në natyrë nga shtetas të huaj për politikanët, 2. donatorë të fshehtë të mbështetur nga fuqitë e huaja; 3. kompani me financues huaj, si kanale të fshehta; 4. organizata jofitimprurëse me donatorë të huaj; 5. reklama politike online të blera nga shtetas të huaj; 6. mediet e financuara nga të huajt," deklaroi Reald Keta, drejtuesi i grupit të punës që punoi për rekomandimet në këtë fushë.

Kryetari i Komisionit, Erion Braçe, i konsideroi propozimet në mbrojtje të interesit kombëtar dhe deklaroi se do të nisë puna sa më shpejt.

"Ky Komision nuk ka as kohën, as mundësinë, por mbi të gjitha ka parimësinë që të mos ndërmarrë akte ligjore në përfundim të mandatit të këtij parlamenti. Ky dokument do t'i shkojë Kuvendit për t'u miratuar dhe natyrisht, pastaj për t'u detajuar. Nisma ligjore, besoj ne, në Kuvendin e ri të Republikës së Shqipërisë, që do të dalë pas zgjedhjeve të majit. Kjo duhet të jetë e qartë edhe për ju që jeni këtu," tha z. Braçe.

Më herët në komision u miratua edhe projektvendimi për shtesa i datës 26.09.2024 "Për caktimin e ekspertëve".

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/