RTSH 24 Live

Serbi

Studentët bllokojnë sërish rrugët e Serbisë, u bashkohen dhe pensionistët

3 orë para

Studentët bllokojnë sërish rrugët e Serbisë, u bashkohen dhe pensionistët

Studentët në Serbi kanë vazhduar bllokimin e fakulteteve dhe rrugëve, duke kërkuar që përgjegjësit për tragjedinë në Novi Sad më 1 nëntor të përballen me drejtësinë. Në këtë ngjarje, 15 persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë pas shembjes së një stacioni treni. Protestës i janë bashkuar edhe pensionistët, të cilët janë mobilizuar pranë Fakultetit Filozofik dhe Ministrisë së Arsimit në Beograd, si dhe në disa fakultete të tjera në të gjithë vendin.

Në Beograd, protestuesit mbajtën 15 minuta heshtje për të nderuar viktimat e tragjedisë. Ceremonia u mbajt përpara Ministrisë së Arsimit dhe përfshinte studentë, dekanë të fakulteteve, pensionistë dhe qytetarë të tjerë. Jovan Tamburiq, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve Ushtarak, shprehu mbështetje për studentët dhe theksoi rëndësinë e lëvizjes së tyre për drejtësi dhe për të kërkuar të drejtat e pensionistëve.

“Ne mbështesim atë që po bëni, jo vetëm sepse është normale dhe e natyrshme, por edhe për shkak të të gjitha padrejtësive që na janë bërë ne pensionistëve që nga viti 2012 duke mos përafruar pensionet me rritjen e pagave dhe inflacionin”, tha ai.

Protestat e studentëve janë mbështetur edhe nga punëtorët e Ndërmarrjes së Transportit të Qytetit dhe Shoqata e Pediatrisë Serbe. Ndërkohë, protestat kanë marrë mbështetje edhe nga diaspora serbe në Evropë, Amerikë dhe Kanada.

Gjatë protestës, studentët kërkuan publikimin e dokumenteve për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit dhe anulimin e akuzave ndaj atyre që u arrestuan në protestat e mëparshme. Ata kërkuan gjithashtu ngritjen e kallëzimeve penale kundër sulmuesve të studentëve dhe rritjen e buxhetit për fakultetet me 20%.

Ndërkohë, pas presionit të protestuesve, Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, dha dorëheqjen nga posti i tij. Vuçeviq tha se kërkesat e studentëve janë përmbushur dhe konfirmoi se qeveria ka rënë. Ai gjithashtu njoftoi se do të merret një vendim brenda dy javëve nëse do të formohet qeveri e re ose do të mbahen zgjedhje të reja.

"Nuk kam dyshim se janë përmbushur. Edhe më shumë se kaq. Qeveria ka rënë, unë po jap dorëheqje. Është edhe dorëheqja e kryetarit të Novi Sadit. Këto janë përgjegjësi politike”, tha Vuçeviq.

Studentët dhe qytetarët e Serbisë vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë dhe drejtësi për viktimat, duke sfiduar autoritetet dhe duke kërkuar një ndryshim të thellë në mënyrën si trajtohen çështjet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.

/rtsh.al/