Tërmetet vazhdojnë të godasin Santorinin, një ndër ishujt më të famshëm dhe piktoreskë të Greqisë.
Pamjet që vijnë nga ishulli tregojnë rrugë të boshatisura dhe njerëz që rendin të kapin një traget apo te presin bileta avioni për t’u larguar.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH 24, Skënder Hakballa, shqiptari që prej vitesh jeton në ishullin grek, tregoi se si paraqitet situata pas qindra tërmeteve të regjistruara javën e fundit.
Lëkundjet vijojnë, u shpreh ai, ndërsa theksoi se njerëzit janë në panik.
“Për momentin jemi të qetë, sepse jemi larguar nga ishulli dhe jemi strehuar në Athinë. Presim nga ora në orë, nga dita në ditë, të marrim ndonjë informacion nga organet shtetërore greke se çfarë do të vendoset.
Aktualisht, gjendja është shumë e rëndë. Kemi ende njerëz që jetojnë në Santorini. Lëkundjet vazhdojë dhe ngjallin frikë dhe panik tek banorët.
Ishte data 2 shkurt kur e kaluam natën jashtë dhe duke parë që njerëzit po largoheshin nga ishulli. Frika ishte e tmerrshme. Natën që qëndruam jashtë kem ndier një lëkundje të madhe, që sipas raportimeve ishte 5.3 në shkallën Rihter."
Hakballa tregoi se për largimet nga ishulli nuk kanë pasur ndonjë urdhër nga autoritetet shtetërore.
“Largimet kanë qenë në mënyrë të vullnetshme dhe të gjithë i janë drejtuar agjencive të biletarive. Duke parë që numri i njerëzve ishte i madh, qeveria greke ka shtuar tragetet dhe avionët për të mundësuar largimin e njerëzve nga ishulli.
Sapo kam biseduar me një mik që jeton atje prej vitesh dhe kishte vendosur të largohej dhe ai me familjen sepse më tha që gjerat vazhdojnë sikurse kanë qenë apo dhe më keq."
/rtsh.al/