Santorini po përjeton valë sizmike gjatë orëve të fundit, me më shumë se 500 lëkundje të regjistruara.
Një tërmet tjetër ka tronditur banorët e ishullit Amorgo, pranë Santorinit.
Dy tërmete të reja të forta , me magnitudë 4.8 dhe 4.7 ballë të shkallës Rihter, kanë ndodhur pak minuta pas orës tetë të mëngjesit dhe brenda një ore në zonën detare të Amorgos.
Tërmeti 4.8 Rihter, sipas zgjidhjes automatike të Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), ka ndodhur mëngjesin e sotëm në orën 08:11 dhe është ndjerë veçanërisht.
Thellësia fokale e tërmetit vlerësohet në 11.9 kilometra.
Ndërsa epiqendra e tërmetit është regjistruar në 18 km. të Arkesinit, Amorgos.
Pak minuta pas nëntë të mëngjesit të së martës, një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter u regjistrua, sërish në Arkesini, në jug të Amorgos, me thellësinë fokale të vendosur në 14.5 kilometra dhe vendndodhjen e përcaktuar në 17 kilometra.
Në orët e fundit kanë vijuar lëkundjet e tërmeteve në zonën detare mes Amorgos dhe Santorinit, me intensitet që ka kaluar 3 të shkallës Rihter, ndërsa herët në mëngjes është regjistruar sërish një lëkundje e fortë prej 4.9 ballë.
Epiqendra ishte sërish në zonën detare të Arkesinit në jug të Amorgos.
Mbrëmjen e së hënës, një tërmet me magnitudë 4.8 ra sërish në jug të Amorgos, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët e ishujve të Egjeut.
Banorët po largohen nga Santorini me qindra me traget dhe me avion, duke u shprehur se kanë frikë dhe se do të kthehen në ishull sapo të qetësohet situata dhe të ndihen të sigurt.
Rreth 1200 pasagjerë u nisën në tragetin e mbrëmjes me destinacion Athinë. Gjysmë ore para nisjes së anijes, kishin mbetur vetëm biletat e kabinës.
Shumica e banorëve që prej vitesh jetojnë në ishull theksojnë se tërmetet e ditëve të fundit nuk kanë të bëjnë fare me 2011-2012. Atëherë ata ishin më të butë. “Tani janë më të shpeshta dhe më intensive”
/rtsh.al/