Ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, ka thënë se është ratifikuar marrëveshja për heqjen e vizave mes dy vendeve, Kosovës dhe Izraelit.
Ziv bëri të ditur përmes një postimi në platformën "X" se marrëveshja, e cila hyn në fuqi nga 5 maji 2025, përkon edhe me 4-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes palëve.
“Gëzohem t’ju njoftoj se marrëveshja për heqjen e vizave u ratifikua në përvjetorin e katërt të marrëdhënieve diplomatike Izrael-Kosovë. Në javën kur shënojmë 4 vjet marrëdhënie diplomatike midis dy shteteve, Izraeli dhe Kosova ratifikuan marrëveshjen për heqjen e vizave.
Duke filluar nga 5 maji 2025, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Izrael si turistë pa pasur nevojë për një vizë."
Kosova dhe Izraeli i vendosën marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt 2021, kur në krye të qeverisë ishte Avdullah Hoti dhe drejtuese e shtetit, presidentja aktuale, Vjosa Osmani.
“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh,” thuhet në dokumentin e nënshkruar atëherë nga kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.
/rtsh.al/