RTSH 24 Live

Kulturë

Nipi i Dritëro Agollit, Emili, ndan copëza kujtimesh nga dashuria mes gjyshërve të tij

2 orë para

Nipi i Dritëro Agollit, Emili, ndan copëza kujtimesh nga dashuria mes gjyshërve të tij

I ulur në kolltukun e shtëpisë, ku dikur jetonin me familjen e sot në shtëpi-muze, Emil Agolli, nipi i Dritëro Agollit, kthehet pas në kohë dhe ndan me ne kujtimet me gjyshin e tij, pikërisht nga vendi ku ata shpeshherë gjendeshin në biseda me njëri-tjetrin.

Emili qe 13 vjeç kur gjyshi i tij u nda nga jeta. Ai tregon se në atë kohë nuk e njihte madhështinë e gjyshit të tij edhe për shkak të moshës.

"Tani që lexoj akoma dhe më shumë veprat e tij më kanë bërë të kuptoj se ka qenë me të vërtetë një nga personalitetet më të mëdha në Shqipëri," shprehet nipi i shkrimtarit.

I gjendur përpara faktit se gjyshi i tij ka qenë dhe mbetet një personalitet, Emili shprehet se ndien përgjegjësi dhe mundohet ta bëjë krenar shkrimtarin Dritëro Agolli.

"Libri me letërkëmbimet midis njëri-tjetrit është botuar pasi ka ndërruar jetë gjyshi. Më kujtohet kur nëna po bënte gati dorëshkrimet për botim, për shtyp. Uleshim bashkë e shikonim letrat me njëri-tjetrin. Atëherë kam thënë me vete çfarë lloj dashurie paska ekzistuar," kujton z. Agolli.

Dashuria e Dritëro Agollit me Sadijen mbetet një nga dashuritë me romantike.

Letërkëmbimet e tyre, që tashmë janë ekspozuar edhe në shtëpinë-muze të shkrimtarit, e rrëfejnë lidhjen e fortë mes tyre.

"Dua të veçoj një fragment. Ngaqë e kishte marrë malli, ai i thoshte: 'Më mungon shumë. Po të mos kisha gjetur ty do të kisha përfunduar pijanec, sepse nuk e kisha shpirtin e krijimtarisë siç e kam tani'," tregon Emili.

Ai thotë se nga gjyshi ka trashëguar shumë - penën e mbi të gjitha shpirtin e artistit.

Çdo ditë ai mundohet që figurën e Dritëro Agollit ta lartësojë, ndërsa nga veprat e shumta të gjyshit veçon librat "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", "Shtigje dhe trotuare", "Pelegrini i vonuar".

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/