Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare për sfidat dhe ambiciet e reformës së re të sistemit të pensioneve, deklaroi se Shqipëria është sot në momentin më të mirë ekonomik.
Ai bëri një panoramë të gjendjes së ekonomisë dhe të situatës së pensioneve që nga viti 2014, kur qeveria socialiste nisi ndërmarrjen e reformave 10 vite më parë.
Sipas ministrit, Shqipëria është sot më pranë se kurrë pranë Bashkimit Evropian dhe përparimet e viteve të fundit po e shndërrojnë vendin në lider rajonal.
“Sot, falë meritës kryesore të reformës së vitit 2014, që i dha fund demotivimit dhe humbjes së interesit për të kontribuuar, si edhe falë luftës sistematike antiinformalitet, informatizimit dhe digjitalizimit, punës për shtetin ligjor dhe ritmit pozitiv të zhvillimit ekonomik në vend, numri i kontribuesve është rritur me 47.3% duke arritur në 826,928 kontribues. Të ardhurat nga kontributet janë rritur me 43.1%, duke arritur në 6.73% e PBB dhe deficiti është reduktuar me 59% duke arritur në 0.63% e PBB.
Shqipëria është sot në momentin më të mirë ekonomik dhe reputativ që pas rënies së komunizmit. Vendi është më pranë se kurrë integrimit në BE dhe përparimi i viteve të fundit, i nxitur nga boom-i i turizmit dhe i ndërtimit, po e shndërrojnë Shqipërinë në një vend tërheqës, lider rajonal.
Ky momentum i rritjes dhe fuqizimit ekonomik dhe shoqëror përmes të cilit po kalon Shqipëria duhet të shërbejë si një moment reflektimi, jo vetëm për maxhorancën qeverisëse, por për gjithë shoqërinë, që ta udhëheqim transformimin ekonomik drejt një modeli nga i cili përfitojnë të gjithë, me fokus të veçantë tek shtresat në nevojë dhe pensionistët”, u shpreh Gonxhja.
Ky i fundit shtoi se ministria që ai drejton dhe disa prej bashkive më kryesore në vend, po implementojnë gjithashtu një sërë programesh të strehimit social ndërkohë që jemi në proces të një rishikimi tërësor të tyre për të zgjeruar numrin e përfituesve, por edhe për të adresuar jo vetëm blerjen e shtëpisë së parë, por edhe rigjenerimin dhe zgjerimin e apartamentit ekzistues.
“Përpjekja e deritanishme për ta adresuar mosmjaftueshmërinë e të ardhurave për pensionistët me bonuse e transferta të tjera, ku vitin që shkoi akorduam edhe bonusin më të lartë të dhënë ndonjëherë dhe sivjet siguruam edhe bonusin e ri të pranverës, duhet të një zgjidhje afat-gjatë dhe në afat-gjatë nuk është as e qëndrueshme.
Ne, si qeveri, duhet të konceptojmë e implementojmë një sërë politikash në ndihmë të familjeve të reja. Ne si MEKI, por edhe disa nga bashkitë kryesore në vend, po implentojmë një sërë programesh të strehimit social ndërkohë që jemi në proces të një rishikimi tërësor të tyre për të zgjeruar numrin e përfituesve, por edhe për të adresuar jo vetëm blerjen e shtëpisë së parë, por edhe rigjenerimin dhe zgjerimin e apartamentit ekzistues”, përfundoi Gonxhja.
/rtsh.al/