Shqipëria kërkon të përmirësojë reformën e pensioneve, në mënyrë që të krijohen politika afatgjata dhe të qëndrueshme për qytetarët. Si një reformë kyçe e qeverisë është zhvilluar edhe një konferencë ku u diskutua për sfidat dhe ambiciet e reformës së sistemit të pensioneve të Shqipërisë deri në vitin 2030.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, e pranishme në këtë aktivitet, theksoi rëndësinë e reformës së pensioneve për Shqipërinë.
Ajo vuri në dukje se reforma e pensioneve është e vështirë për çdo vend dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, duke kërkuar politikë afatgjatë. Yu theksoi gjithashtu se, edhe pse Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në përmirësimin e sistemit të pensioneve që nga reforma e vitit 2014, ka ende shumë për të bërë për të siguruar një pagesë të qëndrueshme për pensionistët.
“Lëvdoj qeverinë që ka vendosur në krye të axhendës së reformave sistemin e pensioneve. Këto janë reforma të vështira për çdo vend se kanë të bëjnë me jetën e qyfterëve dhe shihen si një politikë afatgjatë. Kjo reformë sot do të ndikojë në kontribuuesi dhe pensionistët e së ardhmes dhe duhet t’i jepet zgjidhje për vendosjen e barazisë mes brezave të pensionistëve. Qeveria mori përsipër ndërhyrjen në këtë reformë që në 2014 dhe ka përmirësuar ndjeshëm sistemin e pensioneve dhe mënyrën e kontributit për pensioneve, por ka ende shumë për të bërë për të krijuar një pagesë të qëndrueshme për pensionistët”, tha ajo.
Sipas drejtoreshës, sfidat si emigrimi dhe informaliteti janë disa nga pengesat që po ndikonin në mbledhjen e kontributeve për pensionet, por Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë me asetet teknike për përmirësimin e sistemit. Ajo shtoi se për të siguruar suksesin e reformës, është thelbësore që publiku të kuptojë dhe të informohet për rëndësinë e kësaj reforme.
“Si shumë vende të Evropës edhe Shqipëria ka përjetuar ndryshime gjatë dekadave të fundit. Emigrimi në shkallë të lartë, informaliteti në shkallë të lartë cenojnë përmbushjen e detyrimeve sa i takon parimit të dhënies së kontributeve për pensionet. Ne do të punojmë për të përmirësuar disa prej mekanizmave të sistemit te pensioneve për të pasur një rrugë pa probleme në të ardhmen dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Pensionet janë të rëndësishme për mirëqenien e njerëzve, në qëndrueshmërinë buxhetore dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë. Ne mbështesim Shqipërinë që prej reformës së pensioneve të ndërmarrë në 2014 dhe kemi mësuar shumë gjatë kësaj kohe dhe për politikat e pensioneve. Ndryshimet në politikën e pensioneve do të kenë suksese nëse njerëzit e kuptojnë nevojën për këtë reformë dhe informimi i publikut është me rëndësi kritike për pasjen e suksesit. Banka Botërore garanton mbështetjen e saj me asetet teknike për të realizuar përmirësimin e reformës së pensioneve”, u shpreh ajo.
/rtsh.al/