Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në një tryezë diskutimi të organizuar nga Banka e Shqipërisë, ku u bë e ditur një iniciativë e re financiare për mbështetje të investimeve në sektorin e bujqësisë. Ky instrument financiar do të ofrojë një linjë financimi prej 250 milionë euro për të mbështetur investime në fusha të ndryshme si sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm dhe inovacion teknologjik për zhvillimin rural.
Rama theksoi se ky është një proces që ka nisur prej disa kohësh dhe tashmë po konkretizohet me hapjen e një linje të re financimi nga Banka e Shqipërisë, me fokus të veçantë në mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në bujqësi.
Kryeministri tha se ambicia e Shqipërisë është arritja e eksporteve në 2030 deri në 1 miliard euro dhe për këtë duhen investime në bujqësi dhe mbështetje e fermerëve për të rritur volumet e prodhimit dhe ndërmarrjeve të tyre.
“Këtë proces e keni nisur disa kohë më parë dhe sot e kurorëzojmë në mënyrën më inkurajuese me vendim të Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re financimi me fokus te bujqësia për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kjo linjë financimi do të jetësohet në funksion të projekteve, investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë. Ky është një hap i madh cilësor, shumë premtues për sektorin dhe vendin, duke pasur parasysh dy gjëra: së pari ne kemi vendosur një objektiv ambicios që në Shqipërinë 2030 ku eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë euro. Sot jemi mbi 500 mln euro dhe arritja e objektivit kërkon një fuqi të shtuar të sektorit dhe fermerëve dhe kjo duhet të vij përmes investimeve dhe rritjes së volumit të sipërmarrjeve në fshat. Nga ana tjetër është e domosdoshme edhe për Shqipërinë si pjesë e BE-së”, tha Rama.
Kryeministri Rama sqaroi se ky program do të ofrojë norma interesi më tërheqëse për fermerët. Me këtë iniciativë, Rama u shpreh se pritet të rritet ndihma financiare për bujqësinë, e cila aktualisht ka një pjesë shumë të vogël të kredive totale nga bankat, vetëm 2.1%.
“Kemi një produkt të kombinuar, mes linjës së re të financimit të BSH dhe mbështetjes që qeveria do japë, duke arritur që përmes garancisë sovrane, të mbulojë 70 % të principalit të kredisë. Ne mund t’ju themi sot atyre që presim më shumë financim në sektorin e bujqësisë, se norma e interesit do jetë shumë tërheqëse. Me këtë arrijmë të vendosim bujqësinë në të njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme. 2.1 % e volumit të përgjithshëm të kredive për këtë sektor është shumë pak dhe me mirëkuptimin e plotë për ngurrimin duhet që kjo të ndryshojë. Gjithashtu ulja me 70 % të kërkesave për kolateral do të jetë një lehtësim shumë i madh për bankat”, tha Rama.
/rtsh.al/