RTSH 24 Live

Kosovë

Vonesat në numërim, KQZ: U shkel procedura. Prokuroria e Kosovës kërkon informacion

5 orë para

Vonesat në numërim, KQZ: U shkel procedura. Prokuroria e Kosovës kërkon informacion

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun e rënies së faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve.

"Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së," u përgjigj kryeprokurori Zejnullah Gashi për mediet lokale.

Votimet në Kosovë u mbyllën dy ditë më parë, por rezultati i fundit në faqe (deri në orën 12:00 të mesditës këtë të martë) për sa i përket numërimit të gjithë vendvotimeve ka mbetur në 99,17 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaroi të martën se arsyeja pse nuk po publikohet rezultati për subjektet politike nga 21 vendvotimet e mbetura lidhet me një problem proceduror dhe se numërimi si proces ka përfunduar faktikisht.

"Ju njoftoj se arsyeja pse ende nuk janë publikuar rezultatet preliminare për subjektet politike nga 21 vendvotime apo 0.83% e tyre është se pas numërimit të votave të subjekteve politike, materiali zgjedhor, përfshirë edhe formularët e rezultateve, janë vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç parashihet me procedurë. Andaj, të dhënat nga këto vendvotime nuk mund të përditësohen tani, pasi hapja e kutive të votimit nuk mund të bëhet në këtë fazë, por vetëm kur të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë," u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për "Telegrafin".

Ndërkohë kandidati për deputet nga Nisma, Zafir Berisha, e quajti ditën problemin me numërimin e votave si një ndërhyrje e qëllimtë, që e vë në pikëpyetje gjithë procesin zgjedhor.

"Problemet e qëllimshme që u shfaqën në uebfaqen e KQZ-së gjatë numërimit të votave, si edhe mospërputhja e votave me të dhënat që i kemi nga vëzhguesit dhe komisionerët, e vë në pikëpyetje gjithë procesin zgjedhor dhe shton dyshimet e arsyeshme për ndërhyrje në këtë proces demokratik nga regjimi në ikje," shkroi z. Berisha në rrjetet sociale.

Rezultatet paraprake nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit me gati 340 mijë vota ose 40,8 për qind të totalit, duke u renditur e para në 21 komuna të Kosovës.

PDK-ja është konfirmuar si partia e dytë më e mbështetur me 22,15 për qind të votave për subjektet politike, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (17,59%) dhe koalicioni AAK-Nisma (7,47%).

/rtsh.al/