RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Nuk e shkarkoj Veliajn, ndalimi i tij në shkelje të standardeve demokratike

4 orë para

Rama: Nuk e shkarkoj Veliajn, ndalimi i tij në shkelje të standardeve demokratike

Kryeministri Rama nuk do ta shkarkojë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pa arrestimit të tij nga SPAK me akuzat për korrupsion. Këtë qëndrim kryeministri Rama e bëri të ditur të martën, gjatë një reagimi në rrjetin social X.

Rama e konsideron ndalimin e Veliajt në shkelje të standardeve demokratike, duke shtuar se “dosja hetimore ngjan me një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij”.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra. Nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Cilado qoftë ajo”, thuhet në postimin e Ramës, referuar deklaratës së zyrës së shtypit në Kryeministri, në përgjigje të pyetjes së Birn se a do të shkarkohet Erjon Veliaj.

Kryeministri, në vijim të postimit, shfaq pretendime ndaj BIRN, për deformim dhe nxjerrjue jashtë kontekstit të përgjigjes së dhënë nga zyra e shtypit e kryeministrisë, në përgjigje të interesimit të kësaj medie.

“Kjo frëngji është e një grupi që quhet Birn, i cili pretendon se lufton për të vërtetën dhe ndërkohë nxjerr nga konteksti brutalisht përgjigjen e zyrës së shtypit të kryeministrisë! Dhe tani ky titull i pavërtetë bëhet avaz kudo”, shkruan Rama, i cili riposton edh3e përgjigjen që i është dhënë nga kryeministria.

“Mesa duket nuk e keni ndjekur adresimin që kryeministri i bëri arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ku jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme. E para, sepse nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë, po jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike.

Por është ende shumë herët për të dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë. E dyta, qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik, ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar.“, shkruhet në postimin e Ramës.

 "Ky fakt tejet problematik për gjithë kryeqytetin, jo thjesht për kryebashkiakun si pale në proces, por edhe për ne si garantë të Reformës në Drejtësi dhe njëkohësisht të kontratave me qytetarët në nivel qendror e vendor, aq më tepër për metropolin e Shqipërisë, kërkon një reflektim shumë serioz. Dhe e fundit, ne do t’ju ishim shume mirënjohës juve dhe cilësdo media qe ne vend se të bëjë thjesht leximin e romanit policor të akt-akuzës, të hedhe dritë për provat që e mbështesin ose jo fillin e atyre afro 400 faqeve.“, thuhet në postimin e kryeministrit.

/rtsh.al/