Partia Demokratike po vijon turin e takimeve me diasporën dhe ndalesa e radhës ka qenë Nju-Jorku. E pranishme në këtë takim ka qenë edhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila u ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit.
Tabaku gjithashtu ka kërkuar votën e tyre për PD-në, teksa ka shtuar se janë bashkë për t’i qëndruar shqiptarëve në krah për një ekonomi më të mirë.
“Pse mos të kemi këtë aset të jashtëzakonshëm shqiptarësh në Shqipëri? Pse mos të ndryshojmë modelin e qeverisjes? Ta ndryshojmë modelin ekonomik dhe t’i japim mundësi njerëzve të punës që fatkeqësisht sot nuk ndodh në Shqipëri. Sot, fatkeqësisht kush punon më shumë, taksohet më shumë. Sot, ekonomia është e përqendruar në pak duar. Ju keni ardhur në Amerikë për meritokracinë dhe këto duam ne edhe në Shqipëri. Të gjithë shqiptarëve që kanë mundësi të regjistrohen deri më 4 mars, i ftoj që të kontribuojnë që ta ndryshojmë Shqipërinë”, tha Tabaku.
“Të bëjmë të mundur që kushdo që ka dëshirë të votojë, të votojë. Është hera e parë që po provohet. Është në dorën tuaj dhe këtë fuqi që na jep vota, ne duhet ta shfrytëzojmë. Do të kemi mundësi që të diskutojmë programin e PD-së. Ju siguroj që shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë në të shkuarën. PD ka pasur një proces që na shkundi. Sot, PD është bashkë, është gati për betejë dhe për t’i qëndruar shqiptarëve në krah për një ekonomi më të mirë. Shqiptarët na kanë pritur shumë ngrohtë”, u shpreh Tabaku.
I pranishëm në takimet me shqiptarët në Nju-Jork është edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.
/rtsh.al/