Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vijoi sot takimet në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë” në qarkun e Vlorës.
Në ambientet e Pallatit të Kulturës në qytetin e Vlorës, Spiropali prezantoi nismën “Kuvend-ON”, një program i cili shtrihet në të gjithë vendin, si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet e tyre drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit.
Në aktivitet morën pjesë kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, studentë nga Universiteti i Vlorës, sipërmarrës, pensionistë, përfaqësues nga OJF, të rinj dhe të reja të qytetit, të cilët diskutuan me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali për problematikat e tyre, etj.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se puna e Kuvendit është mjaft komplekse, ndërsa theksoi se Shqipëria ka shënuar arritje në procesin e anëtarësimit në BE dhe arenën ndërkombëtare.
Spiropali nënvizoi se, debati publik i shërben demokracisë dhe në Kuvendin e Shqipërisë përcillen vazhdimisht problematikat e qytetarëve.
“Deputetët janë zëri i qytetarëve, përfaqësojnë vullnetin e popullit me vizion për të ardhmen e vendit. Duhet të jemi llogaridhënës, ku kemi qenë, ku jemi dhe ku duam të jemi. Kemi shënuar shumë arritje, sidomos rritja e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Çelja e negociatave është arritje e jashtëzakonshme dhe brenda tre viteve mund të mbyllim procesin me bindjen për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes së madhe evropiane. Të realizojmë ëndrrën e paraardhësve tanë, Shqipërinë evropiane”, u shpreh Spiropali.
Spiropali u shpreh gjatë aktivitetit se nisma Kuvend-ON, e cila po shtrihet në çdo qark të vendit i shërben bashkëveprimit mes qytetarëve dhe Kuvendit për një Shqipëri më të mirë.
Gjatë aktivitetit morën fjalën të rinj dhe të reja, të cilët ngritën disa shqetësime dhe i drejtuan pyetje Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
/rtsh.al/