Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë po vazhdon numërimi i votave për kandidatët për deputetë, por sistemi i KQZ-së herë pas here po paraqet probleme.
Rreth orës 22:00 ka rënë sistemi ku po futen të dhënat nga numërimi.
Gjithashtu bëhet e ditur se në një nga tavolinat e numërimit të votave në Qendër është anuluar numërimi i deritanishëm për shkaqe teknike.
Sipas komisionerëve të cilët po numërojnë votat, bëhet e ditur se mund të ketë ndodhur ngase një fletëvotim është numëruar dy herë, ose gabimisht është klikuar dy herë i njëjti kandidat për deputet, që sistemi ka “lajmëruar” parregullsi në këtë çështje.
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nisi të martën në disa komuna të vendit, duke nxitur kritika ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se numërimi ka filluar në vendvotimet e rregullta në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh, ndërsa në komunat e mbetura pritet të fillojë të mërkurën.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit garuan 1.280 kandidatë nga 28 subjekte politike për t’u zgjedhur në Kuvendin me 120 ulëse. /RTK, REL
/rtsh.al/