Përmes një letre drejtuar përfaqësueses së lartë për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherësh zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka informuar dhe denoncuar shtypjen e vazhdueshme të regjimit serb, dhe të Beogradit zyrtar, ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas Kurtit, shkelja e të drejtave të njeriut është e llojit politik, administrativ, ekonomik, kulturor e identitar.
Ai vë në dukje se kjo rrezikon sigurinë dhe ekzistencën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kurti thekson më tej se në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri, e një shtet që po i integron në sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave e spastrim etnik administrativ.” Shqiptarët në Serbi janë të papërfaqësuar në institucione publike e ato shëndetësore e juridike, nuk iu ofrohen shërbimet të cilat iu takojnë, iu mohohet arsimimi në gjuhën e tyre, nuk iu njihen diplomat e nuk kanë të drejta e as liri themelore”.
Gjithashtu, Kurti ka denoncuar ngritjen e bazave ushtarake serbe në Bujanoc dhe zonat përreth, si dhe vendosjen e 48 bazave operacionale në kufirin me Kosovën.
“Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve përkrahet nga shteti atje. Simbolet kombëtare janë rreptësisht të ndaluara bashkë me shprehjen kulturore e artistike. S'ka integrim, por terrorizim. Komuniteti i shqiptarëve nuk integrohet, por Beogradi tenton ta frikësojë. I kanë ngritur bazat ushtarake në Bujanoc, e cila është edhe ndër më të mëdhatë në vend, si dhe i kanë vendosur 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, specifikisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”.
Sipas Kurtit, represioni i vazhdueshëm dhe sistematik i komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës qëndron në kundërshtim me vlerat evropiane e demokratike, teksa ka kërkuar reagim e veprim urgjent nga Bashkimi Evropian.
“Aktet e veprimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës janë antiteza e parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kërkon reagim e veprim urgjent nga Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare”, ka theksuar Kurti.
/rtsh.al/