RTSH 24 Live

Politikë

Rama në krye të fushatës së PS në Tiranë: Kutitë e votimit do jenë një mavi flakëritëse

7 orë para

Rama në krye të fushatës së PS në Tiranë: Kutitë e votimit do jenë një mavi flakëritëse

Kryeministri Edi Rama merr në dorë fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025 në Tiranë. Lajmi u bë i ditur nga vetë kreu i qeverisë, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, gjatë festimit për 105-vjetorin e themelimit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

“Si gjithmonë është kënaqësi për mua të jem këtu, nuk ishte e planifikuar edhe ju thashë edhe nënkryetarëve të bashkisë, unë kryetar bashkie kam qenë mbase jo aq i zoti sa kryetari juaj, por gjithsesi sot që Tirana dhe Shqipëria ma kanë marrë gjithë pigmentin e flokëve dhe të gjithë këtyre çfarë quhen, diçka kam edhe unë që mund të bëj në mbështetje të tyre. Kështu që, do takohemi rregullisht, do diskutojmë rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them. Kjo nuk është mirë, kjo është mirë, si gjithmonë, dhe pastaj, së bashku me gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë, me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do të bëjmë që sezoni i verës të jetë spektakolar dhe të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të pranverës në 11 maj kur falë edhe blerjes më të fundit që ka bërë skuadra, marrjes së Erion Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do të jenë një mavi flakëritëse cep e më cep, në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër. Patjetër që vetvetiu, falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që edhe unë duhet të jem këtu në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës dhe nuk diskutohet që në 11 maj ne, Tirana do t’i japë Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve të forcës më të madhe politike të shqiptarëve”, deklaroi Rama.

Vendimi për të marrë në dorë ‘frenat’ e fushatës elektorale në Tiranë ka marrë shkas edhe nga masa e ‘arrestit me burg’ që SPAK ka zbatuar ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.   

/rtsh.al/