Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar qëndrimin e kreut të qeverisë Edi Rama mbi arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Sipas Berishës, Rama derdhi lot krokodili për Veliajn teksa ironizoi deklaratën e kryeministrit Rama mbrëmjen e sotme, ku u shpreh se pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, vetë ai do të jetë pjesë e skuadrës së deputetëve që do të drejtojnë fushatën e PS-së për zgjedhjet e 11 majit në Tiranë.
“Mirëmbrëma miq! Edi Rama pasi derdhi lot krokodili për Erion Veliajn gjithë paraditen dhe gjatë ditës, në darkë gjeti zgjidhjen, i zuri vendin”, shprehet Berisha në një video të publikuar në rrjetin e tij social në Facebook.
Ndërkaq, më herët në ceremoninë e 105 vjetorit të Tiranës, kryeqytet vetë kryeministri Edi Rama deklaroi se “së bashku me gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë, me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do të bëjmë që sezoni i verës të jetë spektakolar dhe të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të pranverës në 11 maj kur falë edhe blerjes më të fundit që ka bërë skuadra, marrjes së Erion Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do të jenë një marri flakëritëse cep e më cep, në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër”.
“Patjetër që vetvetiu, falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që edhe unë duhet të jem këtu në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës dhe nuk diskutohet që në 11 maj ne, Tirana do t’i japë Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve të forcës më të madhe politike të shqiptarëve”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/