RTSH 24 Live

Politikë

105-vjetori i Tiranës kryeqytet, Rama: Veliaj nuk u kap në flagrancë, u hetua jeta e tij

5 orë para

105-vjetori i Tiranës kryeqytet, Rama: Veliaj nuk u kap në flagrancë, u hetua jeta e tij

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në 105-vjetorin e Tiranës kryeqytet se mungesa e kryebashkiakut Erion Veliaj në këtë aktivitet lidhet me ndërprerjen e SPAK-ut në mënyrë krejt të panatyrshme të kontratës së Veliajt me qytetarët.

Sipas Ramës, Veliaj prezumohet i pafajshëm deri në një vendim i prerë ndërsa shtoi se pavarësisht se mazhoranca ka vendosur të mos komentojë çështjet e drejtësisë, ai vuri në dukje se në këtë rast ka një akuzë pa gjyq.

Kontrata është ndërprerë nga dikush që unë personalisht nuk e njoh as për fytyrë dhe ndërkohë që kush zgjidhet ka një llogari të përditshme për të dhënë. Kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyllë në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep. Por me siguri jo para qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë. Nuk e di dhe nuk më takon mua ta them nëse Erioni është i pafajshëm apo është fajtor. Por unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeriu të zgjedhur në krye të detyrës është jo thjesht një detyrim ndaj tij si ndaj çdo individi. Deri më sot ne kemi zgjedhur të mos komentojmë edhe kur kryetari i bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi dhe i është ndaluar të zbatojë kontratën me zgjedhësit sepse mbi të rëndon një akuzë por pa gjyq. Ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit në raport jo me të drejtën për të hetuar dhe çuar para drejtësisë këdo pa parë majtas dhe djathtas por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve”, tha Rama.

Ai shpjegoi se kryebashkiaku Veliaj nuk u kap në flagrancë që të arrestohej por gjithçka ndodhi si pasojë e një kallëzimi anonim që në shkurt të vitit të kaluar.

Për këtë arsye, sipas tij, hetimi ndaj Veliajt është jashtë shinave të Kushtetutës.  

Dua të them që paraburgimi është një fenomen sui generis me të cilin ballafaqohemi ne këtu. Ne nuk kemi asnjë hezitim për ta vazhduar këtë luftë, luftën kundër korrupsionit. Sot gjendemi para një çështjeje, ku nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbio një akuzë për korrupsion por kemi një hetim për një person.

Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion por është hetuar jeta e një personi e familjes së tij e një letre anonime të depozituar në shkurt të vitit të kaluar. Për mua kjo nuk është normale, nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim përpara të cilit reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, nuk ka një rrezik shoqëror. Ka një hetim për jetën e kryetarit të bashkisë. Dyshimi im është që hetimi është jashtë shinave të Kushtetutës së Shqipërisë”, tha Rama në ceremoninë e 105-vjetorit të Tiranës, kryeqytet.

/rtsh.al/