Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj ka dalë në mbrojtje dhe mbështetje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Xhafaj shprehet se dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mirë, “nuk duhet të trajtohet si kriminel”.
Sipas tij, dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mirë, nuk mund të trajtohet si kriminel që do ndaluar.
“Ky është mendimi im e jeni të mirëpritur për ta sulmuar, por unë e ti, e ju e dimë, sa ka ndryshuar ky vend me Erionin. Dhe kjo nuk mund të mohohet! Të tjerat duhen provuar, këtë e kemi para syve përditë", shkruan ai në rrjetet sociale.
“Sulmet e këtyre ditëve janë shembulli që reforma në drejtësi po jep efektin e saj në çdo nivel, dhe me të jemi të gjithë. Nuk do kishte çuna me shkollë si unë në politikë pa këto. Por duhet drejtësi e procedurë dhe hapa institucionale për të arritur ne një përfundim ligjor. Ndalimi i dikujt, pavarësisht përkatësisë politike, nuk është kjo. Ndaj sot, duhet të pyesim nëse këtë reformë që e deshëm kaq shumë, e duam për statistika e show, apo për të bërë punën e vet, që presupozon që çdo institucion të luajë rolin e vet, jo vetëm Spak-u. Mbështes e mbështesim pa kushte prokurorinë e posaçme, por po ashtu edhe gjykatën për vendimet që merr. Dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mire, nuk mund të trajtohet si kriminel që do ndaluar. Ky është mendimi im e jeni të mirëpritur për ta sulmuar, por unë e ti, e ju e dimë, sa ka ndryshuar ky vend me Erionin. Dhe kjo nuk mund të mohohet! Të tjerat duhen provuar, këtë e kemi para syve përditë.”, mbyll postimin Xhafaj.
/rtsh.al/