RTSH 24 Live

Kosovë

Ambasadori i Kosovës, Durmishi për RTSH: Serbia do jetë e detyruar që të na njohë

5 orë para

Ambasadori i Kosovës, Durmishi për RTSH: Serbia do jetë e detyruar që të na njohë

Serbia do të jetë e detyruar që ta njohë Kosovën brenda një kohe të shkurtër në të mirë të saj.

Kështu është shprehur ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, gjatë një interviste ekskluzive për RTSH-në.

"Nuk do të vonojë shumë që Serbia të ketë më shumë arsye, motive, për ta njohur sesa për ta refuzuar. Do të jetë në interesin e saj. Nëse sot ata dominohen nga një lloj psikologjie e politikës dhe qasja se duhet ta mbajnë këtë gjendje, unë mendoj se është logjike që në një moment motivi për njohje do të jetë më i fortë në anën e tyre," tha ambasadori.

Për sa i përket takimeve të përvitshme institucionale midis Shqipërisë dhe Kosovës, ambasadori theksoi se mund të bëhet më shumë në rritjen ekonomike të të dyja palëve.

"Ne jemi dy vende që duhet të fokusohemi më shumë apo e përdorim mjaftueshëm këtë lloj lirie bashkëpunimi, komunikimi, pa asnjë problem, për ta shndërruar në avantazh dhe prosperitet ekonomik," u shpreh z. Durmishi.

Për Durmishin, mosnjohja e Kosovës nga disa shtete vjen si shkak i problemeve të tyre sesa i Kosovës.

"Ne jemi krenarë që kemi njohjen e vendeve më demokratike, më të zhvilluara të botës, si në ekonomi, në aspektin ushtarak. Ju mund të bëni pyetjen pse një vend, edhe nga këto që i kemi afër në rajon apo më larg, pse nuk na njeh. Është e vështirë të gjendet ndonjë argument për të justifikuar hezitimin për njohjen," tha diplomati nga Kosova.

Ambasadori tha se ecja përkrah vendeve të rajonit është një faktor i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/