Ndërsa janë numëruar rreth 99% e votave për subjektet politike në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, sot (11 shkurt) nis gjithashtu edhe procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhëënësi i KQZ, Valmir Elezi, në një prononcim për medie, deklaroi se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së 16/2024 për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.
“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, tha ai.
Nga numërimi i rreth 99% të votave, ku Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 40.83% të votave, PDK 22.15%, LDK 17.59%, AAK 7.47% dhe Lista Serbe 4.43%.
Ndonëse rezultati i jep përparësi Vetëvendosjes, kjo e fundit nuk do tëmund të qeveris e vetme, pa arritur në koalicion me ndonjë nga partitë e sipërpërmendura. Por në deklaratat e lëshuara një ditë më parë (10 shkurt), PDK u shpreh bindshëm se nuk do të përfshihej në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se vullneti i qytetarëve i dalë nga zgjedhjet ishte i qartë, prandaj, siç tha, si partia e dytë më e madhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se pranon rezultatin zgjedhor, por përjashtoi çdo mundësi për koalicion me Vetëvendosjen.
/rtsh.al/