RTSH 24 Live

Politikë

Nën hetim nga SPAK, opozita i kërkon largimin nga “Ligjet”. Bushka: Do përgjigjem atje ku duhet

6 orë para

Nën hetim nga SPAK, opozita i kërkon largimin nga “Ligjet”. Bushka: Do përgjigjem atje ku duhet

Debate të ashpra janë zhvilluar në Komisionin e Ligjeve pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj.

Anëtari i opozitës, Dashnor Sula, ka shpërthyer në akuza ndaj kryetares së komisionit, Klotilda Bushka, duke kërkuar që ajo të dorëzojë drejtimin e mbledhjes për shkak të hetimeve që SPAK ka nisur ndaj saj për akuzën e pengimit të drejtësisë, që e përfshijnë atë në lidhje me Veliajn.

Sula theksoi se ishte e papërshtatshme që Bushka të drejtonte mbledhjen, duke sugjeruar që një anëtare tjetër e komisionit ta merrte këtë detyrë.

“Mendoja se ju zonja kryetare nuk do të ishit sot këtu për të drejtuar Komisionin e Ligjeve, nga morali i një qytetari në radhë të parë dhe më pas i një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Ngjarja e djeshme e arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka sjellë një situatë të re edhe për këtë komision. Thjeshtë nga pikëpamja e procedurës nuk do ishte e moralshme që këtë komision ta drejtonit ju, që pas deklaratës së SPAK ku del që kryetarja e komisionit të ligjeve ka tentuar të pengojë zbulimin e së vërtetës. Prandaj do ju kërkoja në nderin tuaj personal dhe të këtij komisioni që sot të gjithë duhet të kishim reagim unifikues me situatën që ka ndodhur. Prandaj, zonja kryetare, mund t’ia lini radhën zonjës Çupi të drejtojë mbledhjen apo kujtdo anëtare e Komisionit mund ta kishte këtë aftësi”, tha Sula.

Nga ana e saj, Bushka u përgjigj duke sqaruar se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj me dinjitet, ndërsa shtoi se do të jap përgjigje atje ku duhet.

“Ju sqaroj që është një komision ligjesh dhe jo një komision hetimor, unë jam drejtuesja e këtij komisioni dhe po ushtroj detyrën time. Në lidhje me atë që thoni ju, nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje, ku edhe sqarohen çështjet që ngrini. Sa i takon çështjes së dinjitetit kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do vijoj të jem e dinjitetshme.” tha Bushka.

Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka si e përfshirë në hetimet që po zhvillohen kundrejt kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi akuzohet për konsumimin e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

“Përveç sa është përmendur më sipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e SPAK.

/rtsh.al/