RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i Veliajt, Berisha: Rama i tmerruar se ka hallin e vet

5 orë para

Arrestimi i Veliajt, Berisha: Rama i tmerruar se ka hallin e vet

Kreu i PD, Sali Berisha, ka komentuar situatën e arrestimit të Erion Veliajt, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ishte më shumë i shqetësuar për pasojat që mund të kishte ky zhvillim për veten e tij, sesa për Veliajn. Berisha theksoi se Rama ka frikë nga hetimet, ku sipas tij është i lidhur me skandalet që lidhen me ndarjen e lejeve të ndërtimit dhe favorizimet e mundshme financiare.

“Edi Rama, pas arrestimit të numrit 2 të PS-së, bëri gjithçka nga njëra anë i terrorizuar dhe i trembur gjer në palcë nga Erion Veliaj, të tregojë se është duarjashtë në këtë aferë, se nuk ka gisht në këtë aferë. Nuk kishte hallin e Erion Veliajt, kishte hallin e tij. Sepse ky prokuror që guxoi të kërkojë arrestimin e Erion Veliajt dhe ky gjykatës që vendosi për arrestimin e tij, këta litarin në shtëpinë e të varurit ia çuan në Surrel. Po, sepse për leje ndërtimi, Edi Rama me favore, i ka tërkuzë. Edi Rama tmerrohet se në qoftë se flitet për 1 milion aty, atje në Surrel sa janë këto miliona. Se ekzistonte rivaliteti, ekzistonte. E kisha thënë disa herë unë që rivaliteti mes Kodrës së Diellit dhe Surrelit ishte shumë i qartë. Në të gjitha, në lukse dhe çdo gjë”, tha Berisha.

Në lidhje me nisjen e hetimeve nga SPAK për Klotilda Bushkën se ka penguar drejtësinë lidhur me çështjen ndaj Veliajt, Berisha ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës për shkatërrimin e disa shtëpive në Tiranë, duke pretenduar se ato ishin pronat e Klodila Bushkës.

“Një gjë do t’u them, pa ato 44 protesta para bashkisë, Erion Veliaj do ishte duke marshuar drejt postit të kryetarit të PS. Duhet të jemi realistë, t’u jap kredi qytetarëve, durimit të tyre. E dini çfarë është kjo Bushka? U them unë ju. Kjo ngrihet vitin e mëparshëm në parlament dhe në një rast unik në histori, të ndaluar me Kushtetutë, propozon t’i shtohen 500 milonë lekë djegësit të Tiranë.

Mirëpo Kushtetuta e lejon deputetin me kushtin që ai ta dorëzojë amendamentin, ta miratojë ose të shprehet Ministria e Financave. Kurse zonja solli një amendament oral. E kam denoncuar me dhjetëra herë unë. Erion Veliaj shembte shtëpi se u thoshte se janë pronat e Klotilda Bushkës. Po, po, janë të dokumentuara të gjitha këto. Ajo është një kriminele më shumë se ai”, the Berisha.

/rtsh.al/