Një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka ardhur dhe reagimi publik i kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë e ka konsideruar një proces hetimor të çuditshëm dhe të padrejtë arrestimin e Veliajt, që ka lënë pa drejtim e"pa kokë" një kryeqytet të tërë.
Sipas tij, s'mund të ngrihet aktakuzë pa u zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, ku do të shpaloseshin edhe krimet për të cilat akuzohet kryebashkiaku.
“Rastin e Erionit unë e kam ndjekur, për një sërë arsyesh që do duan kohë për t'u shpjeguar. Ajo që më ka shqetësuar dhe më ka nxitur të jem i vëmendshëm, ka qenë intimidimi i disa personave të marrë në pyetje, njerëz të artit e kulturës që u gjetën në situata të padenja duke u kthyer në personazh të denjë për letërsinë e Franc Kafkës.
Akt akuza për të cilën gjykatësi ka vendosur t'i heqë kokën nga shpatullat Bashkisës së Tiranës, pa gjyq.
Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. I nisur nga një novelë pafundësi fletësh, novelë anonime dorëzuar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqesh.
Kanë arritur në pikën që edhe një fëmijë 6 vjeç ta dënojnë sepse babanë ja kanë çuar në burg. Kush e çon e merr fëmijën nga shkolla, por kush dhe si i jep këtij fëmije për të ngrënë”, deklaroi Rama.
Duke vijuar deklaratat edhe për masën e arrestit shtëpiak ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, Rama u shpreh se aktorët e drejtësisë mbyllën në shtëpi fëmijën e tyre 6-vjeçar.
Ai theksoi se “fakti që merren, trajtohen si kriminelë kryetari i bashkisë dhe e shoqja, dhe fëmija 6 vjeç në mes, është e një peshe të atillë që s’duhet folur asnjë fjalë sot, pa zbuluar cilat janë krimet për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie, pa gjyq”.
Vila në Kavajë, Rama: Jo e Veliajt, por e vjehrrit të tij
Rama nuk u ndal në akuzat specifike të ngritura nga SPAK, megjithatë përmendi një vilë në zonën bregdetare të Kavajës, që sipas Prokurorisë së Posaçme është përfituar nga Veliaj dhe bashkëshortja e tij përmes sipërmarrësve të lidhur me Bashkinë.
Sipas kryeministrit një akuzë e tillë nuk qëndron, pasi vila është blerë nga vjehrri i Veliajt më përpara, “kur ai nuk ka pasur asnjë lloj pushteti”.
“Në ato akuza flitet për shtëpinë e vjehrrit, vite e vite më parë marrë në Qerret dhe akuzohet që meqë janë gjetur aty rrobat e djalit të vogël, që shkon te gjyshërit në plazh, është shtëpia jote. Të shkohet deri në këtë këtu që të kërkohet llogari për vjehrrin e vdekur që është bërë posedues i një shtëpie në kohën kur dhëndri nuk ka pas asnjë lloj pushteti, është vërtetë mbresëlënëse. Ndërkohë që këtu frëngjitë nga të cilat hidhet balta me tonelata në ditë, hapen e mbyllen me llumin që qarkullon dhe e kthen në ar këneta”, tha ai.
Rama: Konsumatorët e drejtësisë intimiduan dëshmitarët
Ndërsa komentoi arrestimin e kryebashkiakut, kryeministri Rama nuk kurseu as akuzat kundrejt disave - sikurse i cilësoi ai - "konsumatorë të reformës". Rama akuzoi se persona të artit e kulturës janë intimiduar gjatë marrjes në pyetje nga prokurorë të caktuar.
Rama theksoi se heshtja e qeverisë dhe socialistëve është keqkuptuar nga disa prokurorë e gjyqtarë, që "kanë krijuar vetëbesim".
“Heshtja jonë i ka ndihmuar institucionet e reja të drejtësisë, deri këtu. Ajo që u mungon është kritika konstruktive, e nxjerrjes në pah të prirjeve të gabuara. Institucionet e drejtësisë sot përballen me sulme barbare, denigruese, destruktive të asaj pjese të opinionit të udhëhequr nga armiqtë e reformës në drejtësi.
Me shumë gjasë, në dritën e zhvillimit më të fundit, heshtja jonë është keqkuptuar edhe nga disa konsumatorë të reformës. Aktorët e sistemit të ri të drejtësisë, prokuroria dhe gjykata speciale, sot kanë privilegje të jashtëzakonshme krahasuar me të tjerët.
Çohet një prokuror e na tregon ç’është ushtria, ndërkohë që në jemi votuar nga populli për të ushtruar pushtetin ekzekutiv. Ata kanë mandat nga Kushtetuta dhe ligji, për të ushtruar kontrollin mbi pushtetin ekzekutiv, jo duke iu mbivendosur institucioneve të tjera, jo duke bërë punën e KLSH, audit, jo duke bërë punën e institucionit të pavarur të deklarimit të pasurive. Prezumimi i pafajësisë nuk është një llaf goje. Pas telenovelash linçimi publik fenomene të tilla s’mund të lihen pa u diskutuar.
Kurrsesi me mjetet e ulëta të armiqve të reformës në drejtësi, siç fatkeqësisht ka ndodhur me drejtuesin e SPAK që është në shënjestër përditë, është i goditur familjarisht me libër shtëpie, sikurse bën bufi i kënetës, ka solidaritetin tonë për të kryer detyrën. Në këtë proces, pas 5 vitesh, këto institucione kanë krijuar një vetëbesim të plotë dhe kanë jetuar në mungesë të një pozicioni konstruktiv kritik”, u shpreh Rama.
Porti turistik i Sarandës, Rama: Rast flagrant i marrjes peng
Duke vijuar kritikat ndaj drejtësisë, Rama solli në vëmendje rastin e portit turistik të Sarandës, investim ky që i ka kushtuar qeverisë rreth 250 milionë euro.
“Individë të caktuar shkelin kufirin ndarës mes kushtetutës. Rast flagrant aktiv i marrjes peng të portit të ri turistik të Sarandës. Është program i qeverisë, jemi votuar duke u votuar ti bëjmë Shqipërisë portet e reja turistike. Investim rreth 250 mln euro, marrëveshje e bërë nga qeveria për arsyet e mosarsyes të një prokurori a prokuroreje që thotë: jo. Ka ndërhyrë në mënyrë flagrante”, shtoi Rama.
/rtsh.al/