Nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe deputetët Bledion Nallbati dhe Jorida Tabaku kanë zhvilluar takime me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Michigan, zyrtarët e PD-së ju bënë thirrje shqiptarëve të regjistrohen dhe të votojnë më 11 maj. Bardhi tha se diaspora sot është pesha kryesore që vendos për ndryshimin e Shqipërisë.
"Ju jeni forca kryesore. Sot ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë se ata që jetojnë në Shqipëri, e si e tillë fatmirësisht tashmë jeni të përfshirë dhe vendosni për jetën politike në vendin tonë. Prandaj ju kërkoj të mos e neglizhoni, ju kërkoj të regjistroheni dhe të votoni në masë në zgjedhjet e 11 majit. Shqipëria ka nevojë për ju dhe ju duhet të jeni aktivë", tha Bardhi.
Deputetja Jorida Tabaku tha se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të vështirë.
"Ne ndodhemi në një udhëkryq të vështirë, si për ju këtu në raport me Shqipërinë, ashtu edhe për familjet tuaja që jetojnë atje. Por besoj se, së bashku me votën e diasporës, mund të bëjmë ndryshimin. Ndaj nuk duhet të hezitojmë! Nuk kërkojmë votën kot, por sepse kemi një program të qartë, të cilin po e prezantojmë. Ky program është në shërbim të meritokracisë, një vlerë që ju e prekni çdo ditë në SHBA, por që në Shqipëri mungon", u shpreh Tabaku.
Deputeti Bledjon Nallbati tha se vetëm falë diasporës, Partia Demokratike ka shansin që më 11 maj të bëjë realitet ndryshimin.
"Të dashur miq! Sot ju keni në dorë të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm falë angazhimit tuaj, falë përfshirjes tuaj, Partia Demokratike do të ketë shansin të bëjë realitet ndryshimin. Të angazhohet për të kthyer Shqipërinë në shinat e zhvillimit dhe integrimit, duke larguar një qeveri që e ka varfëruar dhe inkriminuar", theksoi Nallbati.
/rtsh.al/