Ulqini nderoi sot presidentin Bajram Begaj me një pritje, ku ishin drejtuesit vendorë, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, aktivistë e qytetarë shqiptarë.
Kryetari i Bashkisë, Genc Nimanbegu, i prezantoi presidentit arritjet e shqiptarëve etnikë në Ulqin në rrafshin politik dhe projektet që do ta fuqizojnë më shumë ekonomikisht këtë zonë.
Presidenti Begaj u shpreh se hapja e Konsullatës së Përgjithshme në Ulqin është vlerësim për Ulqinin si kryeqendra e shqiptarëve në Mal të Zi.
Kreu i shtetit theksoi nevojën për avancimin e projekteve ndërrajonale dhe ndërkufitare me Malin e Zi, duke i vlerësuar ato si një hap që do të nxisë zhvillimin ekonomik. Sipas presidentit Begaj, ndërtimi i urës që do të lidhë Velipojën me Ulqinin do të shkurtojë ndjeshëm distancën dhe do të mundësojë krijimin e një boshti ekonomik, turistik dhe shoqëror Shkodër–Lezhë–Ulqin: “Kështu do të shkëmbehemi më shumë me njëri-tjetrin, do të komunikojmë më shpejt e më shumë, do të sjellim zhvillim ekonomik e prosperitet për qytetarët shqiptarë nga të dyja anët e kufirit.”
Paralelisht me avancimin e projekteve ndërkufitare, duke theksuar ndërlidhjen përmes gazsjellësit TAP, ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri–Mali i Zi, zbatimin e projektit të Autostradës Adriatiko-Joniane, presidenti u shpreh se duhet të intensifikohet bashkëpunimi për realizimin sa më shpejt të këtyre projekteve me Malin e Zi.
Gjatë qëndrimit në Ulqin, Presidenti i Republikës vizitoi dhe Qendrën e Shkencës dhe Inovacionit, e cila sapo është hapur dhe ofron për nxënësit kurse shkencore dhe mjete teknologjike të gjeneratës se re. Në Librarinë e Ulqinit Presidenti Begaj dhuroi disa botime historike dhe libra për fëmijë, duke u zotuar se do të vijojë kontributin për ruajtjen e gjuhës shqipe në trojet etnike të shqiptarëve dhe në të gjitha vendet ku ata jetojnë për promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar.
“Besoj se faktori shqiptar politik në Malin e Zi duhet të jetë bashkë, duhet të jetë bashkë për identitetin tonë”, ishte mesazhi që Presidenti i Republikës përcolli nga Ulqini në mbyllje të vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi.
/rtsh.al/