Laboratori i Kontrollit pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është akredituar në 31 janar 2025 nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, duke marrë certifikatën ISO 17025:2017 si i vetmi laborator testues barnash i akredituar në Shqipëri sipas këtyre standardeve.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, gjatë vizitës në ambientet e Laboratorit dhe inspektimit të entiteteve ekzaminuese, u ndal në rëndësinë e kontrollit të barnave dhe benefitet që rrjedhin nga ky akreditim.
“Është një proces i gjerë dhe i gjatë pune dhe përpjekjesh për të arritur deri këtu, për të kapur standardet dhe sigurisht për të garantuar cilësinë e barnave që hyjnë në tregun shqiptar e përdoren nga popullata”, u shpreh Koçiu.
Laboratori i Kontrollit të Barnave është e vetmja strukturë e kontrollit të cilësisë së barnave në Shqipëri dhe pajisja e tij me këtë akreditim ndërkombëtar vendos një standard të munguar duke garantuar kështu rezultate laboratorike të besueshme, të sakta dhe transparente.
Me implementimin e pajisjeve të reja dhe indekset e akreditimit ndërkombëtar pritet që për vitin 2025 të dyfishohet numri i analizave dhe zgjerohet gama e tyre, duke realizuar analiza për kategori barnash që nuk janë kryer ndonjëherë, si psh. ato citostatike (tumorale), imunoterapitë dhe gjithë kategoritë e tjera të produkteve farmaceutike, duke aplikuar procedurat e Farmakopesë Europiane.
/rtsh.al/