RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja e Martin Çeços, Gjykata e Korçës jep 83 vite burg për 4 autorët

5 orë para

Vrasja e Martin Çeços, Gjykata e Korçës jep 83 vite burg për 4 autorët

Gjykata e Korçës ka dhënë vendim fajësie për 4 personat e dyshuar si vrasës të Martin Çeços nga fshati Kolanec i Maliqit, më 12 qershor 2022: Valter Mollaj me 25 vite burg, Edlir Mollaj me 23 vite burg, Martina Pajollari me 20 vite burg dhe Blendi Angjo, 15 vite burg.

I riu u gjet i mbytur me litar dhe i hedhur në rezervuar pas dy ditësh që kishte humbur kontaktet me familjen.

Policia dhe Prokuroria e Korçës arrestuan si të dyshuar të ngjarjes kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj nga fshati Marjan i Korçës dhe bariun e tyre, Bledi Angjo, me motivin se i ndjeri ishte në një lidhje me Martina Pajollarin, e cila u tha se kishte paralelisht një lidhje dhe me njërin prej kushërinjve.

Prokuroria vuri në bankën e të akuzuarit dhe Martina Pajollarin si bashkëpunëtore në këtë ngjarje, pasi dyshohet se e ka nxjerrë në pritë viktimën.

Sipas palës mbrojtëse në gjykim, në asnjë moment nuk u vërtetua direkt apo indirekt lidhja e të pandehurve me viktimën. Në seancën e kryer nga avokatë të ndryshëm, mbrojtja artikuloi se nuk është kërkuar nga Prokuroria vënia në dispozicion e materialeve të kompanisë “Meta”, ku është pretenduar se viktima dhe autorët e dyshuar kanë pasur kontakt.

Ndërkaq sipas tyre në gjykatë asnjë provë nuk vërteton që krimin e kryen Valter dhe Edlir Mollaj, dhe paralajmëruan apelim të vendimit.

Gjykata e pranoi kërkesën e Prokurorisë për dënim me burg për të 4-rt shtetasit. Ndërkaq gjykata ka vendosur dënim me burg për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim për shtetasit e akuzuar.

/rtsh.al/