Nisma për lidhjen e marrëveshjes kuadër për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara ishte ndër vendimet që u miratuan të mërkurën nga qeveria e Kosovës.
Gjatë mbledhjes së ekzekutivit, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri me dije se marrëveshja ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes.
"Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike, në bashkëpunim me shtetet aleate, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të dyja palët të angazhohemi në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike dhe ngritje të kapaciteteve strategjike ushtarake. Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, cenimit për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë, gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë," deklaroi ai.
Një tjetër marrëveshje që u miratua ishte edhe ajo e sigurisë me Slloveninë, që parashikon shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm.
"Arritja e marrëveshjes për sigurinë në fushën e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar mes Kosovës dhe Sllovenisë është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte: forcimi, bashkëpunimi dypalësh, sigurimi i informacioneve të klasifikuara, përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe mbështetja për integrim euroatlantik," tha z. Kurti.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan tri marrëveshje mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se marrëveshja e parë është për transferimin e personave të dënuar, e dyta për ndihmën e ndërsjellë juridike dhe së treti, marrëveshja për ekstradimet.
"Qëllimi i kësaj marrëveshje është përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e drejtësisë, vendosja e drejtësisë dhe rehabilitimi social i personave të dënuar, duke mundësuar ekzekutimin e sanksioneve penale në shtetin vendbanimit të përhershëm të personit të dënuar. Kjo marrëveshje rregullon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përmes transferimit të personit dënuar në rastet kur një shtetas i shtetit të administrues është duke vuajtur dënimin në shtetin dënues dhe kërkon transferimin në shtetin administrues me qëllim të rehabilitimit social," tha ajo.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ndër tjera u miratua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për menaxhimin e grant-kontratës të asistencës teknike, në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Shqipëri.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/