Ka përfunduar seanca në Apeli e Gjykatës së Posaçme për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”. Seanca për shpalljen e vendimit pritet të mbahet ditën e nesërme (13 mars) në orën 10:00.
Avokatët mbrojtës të Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani, kanë kërkuar masë më të butë sigurie për klientin e tyre kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që ai të prishë provat.
Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua më 10 shkurt. Ai akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa ka krijuar një skemë korruptive për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës, apo kontraktorë të saj, në drejtim të një grupi OJF-sh apo personash fizikë, që, sipas SPAK, kontrolloheshin nga Xoxa.
Kryebashkiaku Veliaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar për një arrestim të padrejtë.
/rtsh.al/