RTSH 24 Live

Kosovë

Zgjedhjet në Kosovë - Ndalohen 5 persona për cenim të votës në Mitrovicë

09/02/2025

Zgjedhjet në Kosovë - Ndalohen 5 persona për cenim të votës në Mitrovicë

Pesë persona janë ndaluar në Mitrovicë për veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se “Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Qytetarët në veri të Kosovës i rikthehen procesit të kutive të votimit nga viti 2022, kur partia më e madhe e serbëve të Kosovës u tërhoq nga institucionet e vendit dhe iu bëri thirjre serbëve të bojkotnin proceset zgjedhore.

Kosova voton këtë të diel për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare, ku mbi 2 milion votues kanë të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit. Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 lista qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

/rtsh.al/